Blerja e karburantit që do të përdoret për të prodhuar energji nga dy anijet e instaluara në Vlorë do të kushtojë 20 miliardë lekë ose mbi 200 milionë dollarë. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka dyfishuar vlerën e tenderit për blerjen e naftës për dy termocentralet lundruese të Vlorës.
Në fillim, tenderi u shpall në regjistrin e parashikimeve të Agjencisë së Prokurimeve Publike me vlerë totale 10 miliardë lekë. Por pak ditë më parë, fondi limit është dyfishuar duke arritur vlerën 20 miliardë lekë.
Sipas dokumentave të APP, KESH ka programuar që tenderi të zhvillohen në dhjetor të këtij viti. Ndërkohë pak ditë më parë, Korporata shpalli fituesin e tenderit për depozitoimin e kësaj sasie karburanti, e cila do të vijë në Vlorë përmes anijeve.
Kontrata e depozitimit dhe ngarkim shkarkimit të naftës u fitua nga Petrolifera Italo Albanese për 7.2 milionë euro, përmes një procedure pa garë, por me negocim të drejtëpërdrejtë.
Thirrja për shprehjen e interesit për kompanitë që janë të interesuara për të furnizuar KESH-in me karburant u shpall që në janar. Sipas saj, KESH kërkon të blejë fillimisht 100 mijë tonë karburant, të llojit naftë e rëndë që do të përdoret për prodhimin e energjisë nga dy termocentralet lundruese
Sipas burimeve nga KESH, në fazën e parë shprehën interes disa kompani, kryesisht të huaja, ndërkohë që tani do të kalohet në fazën e dytë, atë të hapjes së garës për blerjen e karburantit. Kjo është procedura më e madhe e prokurimit që është regjistruar ndonjëherë në Shqipëri për blerje mallrash, ku me një dorë të vetme do të shpenzohen 200 milionë dollarë, sa një kontratë e madhe koncesioni.
Kontrata
Verën e vitit të kaluar, gjatë kulmit të krizës energjetike, qeveria shqiptare autorizoi Korporatën Elektroenergjetike të kontraktonte dy termocentrale lundruese nga kompania amerikane Excelerate Energy.
Sipas marrëveshjes, dy anijet me kapacitet të instaluar rreth 110 mega vat u pajtuan për një periudhë dy vjeçare. Në këmbim KESH i paguan kompanisë amerikane 63 mijë dollarë në ditë vetëm si qira, për përfshirë koston e mirëmbajtjes së mjeteve.
Korporata pretendon se deri më sot nuk ka paguar asnjë lekë për dy termocentralet edhe pse është akuzuar publikisht për të kundërtën. Marrëveshja mes KESH dhe kompanisë nuk është bërë publike.
Opozita, por edhe ekspertë të pavarur e kanë cilësuar marrëveshjen si abuzive dhe të dëmshme për taksapaguesit, të cilët do të paguajnë rreth 68 milionë dollarë për periudhën dy vjeçare edhe nëse anijet nuk vihen asnjëherë në punë. Kjo pasi, energjia e prodhuar prej tyre del me kosto të lartë, veçanërisht tani që çmimet e energjisë ne treg janë rikthyer në nivele normale.
Por KESH thotë se anijet do të vihen në punë këtë verë. Sipas përllogaritjeve të Korporstës, kostoja e prodhimit të energjisë prej tyre llogaritet në 150 euro për mega duke përjashtuar karburantin nga taksa e akcizës. Kjo, kosto sipas korporatës edhe pse në dukje më e lartë se tregu i mundëson asaj të bëjë optimizimin e prodhimit të energjisë. /Kapitali.al