Është filluar procedurë ndaj shefave dhe punonjësve të policisë, të cilët nuk kanë gjobitur një shofer të një veture i cili ka vozitur me shpejtësi 272 kilometra në orë, njofton MPB.
“Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale ka dërguar njoftim në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ndaj katër punonjësve policorë të cilët nuk kanë marrë masa konform Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor ndaj shoferit i cili udhëtonte me shpejtësi 272 kilometra në orë, por pjesëmarrësi në komunikacion vetëm është paralajmëruar.
Pas kontrolleve të kryera, shqyrtimit të materialit zyrtar dhe këqyrjes së video-incizimeve nga radari i ditës 06.05.2024, u konstatua se dy punonjës policie, duke vepruar me urdhër për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së automjetet me radar në autostradën Shkup-Veles, kanë konstatuar kundërvajtje në komunikacion, përkatësisht i kanë matur shpejtësinë e lëvizjes së veturës “Porsche” prej 272 kilometra në orë, në vend ku lëvizja ka qenë e kufizuar në 120 kilometra në orë.
Në vend të përpilimit të procesverbalit për konstatim të kundërvajtjes dhe urdhërpagesës për kundërvajtje, duke pasur parasysh se për këtë lloj kundërvajtje, sipas nenit 36 paragrafi 3 të Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor, është e paraparë gjobë në shumë prej 400 euro në vlerë të denarit dhe ndalim për drejtimin të automjetit prej gjashtë deri në 12 muaj, ndërsa kundërvajtësit i është dhënë vetëm vërejtje për kundërvajtje në komunikacion.
Shefi i Njësisë Lëvizëse për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor i kërkoi kreut të Departamentit të Uniformës së Policisë – Departamenti i Çështjeve Rrugore që të mos shkruaj dënim për kundërvajtjen e kryer, për shkak të së cilës drejtuesi i Departamentit të Uniformës së Policisë – Departamenti i Çështjeve Rrugore ka ushtruar ndikim në zyrtarët policorë të mos konstatojnë shkelje nga neni 36 paragrafi 3 i Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor, por vetëm të bëjnë vërejtje.”, thonë nga MPB.
Nga MPB thonë se ndaj katër policëve është paraqitur propozim për inicimin e procedurës për shkelje të rëndë të rendit dhe disiplinës së punës.