Njëri nga të arrestuarit e djeshëm, si i dyshuar nga grupi që grabitën një argjendari në Suharekë, Bujar Basha ka një histori kriminale me të paktën 6 dënime të plotfuqishme për grabitje dhe vjedhje.
Historia e tij në raport me ligjin është e njohur për organet e rendit dhe të drejtësisë.
Gjykata Themelore e Prizrenit ka konfirmuar për KALLXO.com, të paktën gjashtë aktgjykime të plotfuqishme dënuese për Bujar Bashën.
Gjykimi për rastin e parë, për veprën penale “Grabitje” kishte filluar qysh në vitin 2002 kur ndaj Bashës ishte shqiptuar dënim i plotfuqishëm me 10 vite burgim.
Ndaj tij për grabitje është shqiptuar edhe një dënim në vitin 2005, kur Gjykata e kishte dënuar me vendim të plotfuqishëm me 12 vite burgim.
Për grabitje, Basha ishte dënuar edhe një vit më pas. Sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com, në gjykimin e shpallur më 22.03.2006, ai ishte dënuar me vendim të plotfuqishëm nga Gjykata e Prizrenit me 8 vite burgim.
Por, e kaluara kriminale e tij nuk përfundon më kaq.
Në vitin 2008, ndaj Bashës ishte shqiptuar dënim i plotfuqishëm me 5 vite e dy muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë. Edhe këtë herë, Basha ishte dënuar për veprën penale “Grabitje”.
Ndërsa në vitin 2015 ndaj tij ishte shqiptuar dënim i plotfuqishëm me dy vite burgim për veprën penale vjedhje.
Për vjedhje, Basha ishte dënuar edhe dy vite më parë. Sipas dosjes, më 7 prill 2021 ndaj tij kishte hyrë në plotëfuqi dënimi me 1 mijë e 300 euro gjobë.
Po ashtu, Gjykata e Prizrenit ka konfirmuar se Bujar Basha ishte i dënuar edhe për një vepër tjetër, por që nuk ka ofruar të dhëna, për shkak se ai ka shfrytëzuar institutin e rehabilitimit gjyqësor.
“Për një (1) rast, i dënuari ka shfrytëzuar institutin e rehabilitimit gjyqësor – andaj sipas nenit 98 par. 4 të KP-së “Në rastet kur është shlyer dënimi, të dhënat lidhur me atë dënim mund ti zbulohen vetëm gjykatës, prokurorisë, dhe Policisë, lidhur me procedurën penale e cila zhvillohet kundër personit të cilit i është shlyer dënimi i mëparshëm”, nuk mund të ofrojmë informacione shtesë.” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prizrenit.
Në dosjen e siguruara nga KALLXO.com, thuhet se në këto të dhëna nuk janë të përfshira rastet kur i pandehuri mund të ketë shfrytëzuar të drejtën e Lirimit me Kusht, Lirimit të Parakohshëm, Amnistia, Falja apo vendime të mundshme nga Paneli për Lirim me Kusht, apo mund të ketë shfrytëzuar të drejtën për bashkimin e dënimeve gjatë kohës sa ka qenë në vuajtje të dënimit.
Ndryshe, më 22 nëntor ka ndodhur një plaçkitje e armatosur në një argjendari në qytetin e Suharekës. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen, është plagosur një polic. Nga ky incident, përveç një polici të plagosur, kishte mbetur edhe një tjetër i lënduar.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka konfirmuar për KALLXO.com se Bujar Basha ishte liruar nga burgu më 14 shtator nga Burgu i Sigurisë së Lartë, rreth 2 muaj para se bëhet vjedhja në Suharekë, për të cilën po dyshohet.
“Personi në fjalë është liruar pas përfundimit të dënimit, lirim normal nga Burgu i Sigurisë së Lartë, me datë, 14.09.2023, ku ishte i dënuar me 5 vite e 2 muaj për Veprën Penale Grabitje. Deri në momentin e lirimit i njëjti ishte i kategorizuar me rrezikshmëri të lartë.” – thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Lidhur me këtë, një aksion policor, në tri lokacione që përfshijnë Prishtinën, Fushë Kosovën e Carralevën, është realizuar dje në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Nga ky aksion policor, një polic mbeti i lënduar, e që gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë, përderisa njëri nga të dyshuarit u neutralizua gjatë zhvillimit të aksionit policor.
Policia ka thënë se njëri nga të dyshuarit ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar drejtpërdrejt jetën e tyre.
Shkrepja e armës nga i dyshuari, sipas PK-së, bëri që të mbes i plagosur edhe zyrtar policor.
Më pas, policët që ishin prezent në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar.
Sipas Policisë, deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër që ende gjendet në kërkim policor.