Dhjetëra miliona njerëz dje u prekën nga temperaturat përvëluese që e mbërthyen hemisferën veriore, në Kaliforni shpërthyen zjarret shkatërruese, ndërsa Azia u godit nga stuhi të pazakonta, që është një dëshmi për ndryshime klimatike.
Në Evropë, ku, sipas ekspertëve, ndryshimet klimatike janë dy herë më të shpejta se mesatarja e botës, disa vende janë veçanërisht të prekura.
Në Itali për 16 qytete është shpallur alarm i kuq i motit, me temperatura në pritje nga 36 deri në 37 gradë Celsius, por u ndje më e lartë, deri në 40.
Spanja gjithashtu i mbijetoi një jave të nxehtë, ndërsa Ishujt Kanare të La Palmës u shkatërruan nga një zjarr në fundjavë që i dogji 5.000 hektarë tokë, ndërsa u evakuuan 4.000 persona.
Shërbimi meteorologjik spanjoll lëshoi dje një paralajmërim portokalli për ditën e sotme, për shkak të temperaturave nga 38 deri në 42 gradë Celsius në pjesë të mëdha nga gadishulli dhe Ishujt Balearik, dhe një paralajmërim i kuq (rreziku më i lartë) është lëshuar për sot për pjesë të Andaluzisë dhe për të martën për Aragonin, Katalonian dhe Majorkan ku priten 42 deri në 44 gradë Celsius.
Në Greqi vapa duhet të ulet pak, ndërsa Akropoli i Athinës dje në pjesën më të nxehtë të ditës ishte i mbyllur për vizitorët.
Në SHBA, nga Florida përmes Teksasit deri në Kaliforni, një pjesë e madhe e jugut dje u përball me valën e të nxehtit që sinoptikanët e përshkruajtën si “mbytëse”, duke paralajmëruar temperatura rekorde.
Në Luginën e njohur të vdekjes, në Kaliforni, të shtunën në mbrëmje janë matur 51 gradë Celsius, ndërsa pritet 54 gradë.
Përveç temperaturave të larta, Kalifornija është përfshirë nga zjarret e mëdha të cilat deri tani i kanë djegur mbi 1.214 hektarë, ndërsa banorët janë evakuuar.
Pjesë të tjera të SHBA-së kërcënohen me stuhi.
“Stuhi të forta, reshje shiu dhe përmbytje janë të mundshme në vende, veçanërisht në Anglinë e Re, ku toka tashmë është e lagur nga shirat e fundit”, njoftoi Shërbimi Kombëtar i Motit.
Përmbytjet pardje morën tre jetë njerëzish në një qark në veri të Filadelfias, Pensilvanisë, dhe katër persona janë ende të zhdukur, thonë zyrtarët lokalë të zjarrfikësve.
Këtë vit në Kanada janë djegur më shumë se 10 milionë hektarë, që është djegia më e madhe deri më tani, tregojnë të dhënat e Qendrës Kombëtare për zjarret në pyje, prej të cilëve 570 janë nën kontroll.
Në Japoni dje u regjistruan temperatura të larta në 20 nga 47 prefektura japoneze, ndërsa në përmbytjet pas shirave të dendura humbën jetën tetë persona.