Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, i bëri thirrje Serbisë që të ndalojë së dërguari ushtrinë e saj në kufi me Kosovës. Hasani, gjatë një konference të përbashkët për media në Prishtinë me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla, tha se siguria e Kosovës garantohet nga NATO. Kryediplomati shqiptar bëri thirrje që përgjegjësit për sulmin në Banjskë që ai e cilësoi terrorist, duhet të përballen me drejtësinë, pasi sipas tij, kjo është e domosdoshme “për të parandaluar një përshkallëzim me pasoja ndoshta të pakthyeshme”. Homologia e tij kosovare, Donika Gërvalla, duke folur për Banjskën, sërish i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të sanksionojë Serbinë.
“Bëjmë thirrje te të gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin e 21-të, nuk i çohen ushtri fqinjit më te kufiri. Askush nuk duhet të bëjë më këtë lojën që është qesharake sepse të gjithë jemi të qartë se garancia më e madhe për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës është NATO, ku dhe Shqipëria është pjesë”, deklaroi Igli Hasani, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë.
“Mungesa e ndëshkimit bart në vetvete rrezikun e përsëritjes. Prandaj, jo vetëm për hir të paqes dhe sigurisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj, por sidomos për hir të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në gjithë rajonin tonë, bashkësia ndërkombëtare duhet të mos mbetet e heshtur, por të ndëshkojë ashpër çdo tentativë për të destabilizuar vendet fqinje”, tha Donika Gërvalla, Ministre e Jashtme e Kosovës.