Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shkroi se Kosova është ndërtuar nën hijen e mohimit të të drejtave të njeriut.
Kështu Haradinaj u shpreh përmes një postimi në Facebook me rastin e 75-vjetorit të miratimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.
“Kosova është ndërtuar nën hijen e mohimit të të drejtave të njeriut, dhe padyshim kujtojmë mbështetjen e miqve tanë në NATO në krye me ShBA që dënuan shkeljen e të drejtave ndaj popullit tonë”, shkroi ai.
Haradinaj shkroi se për Kosovën “kjo datë është një kujtim i rëndësishëm, pasi përjetuam cenime serioze të të drejtave tona nga sisteme autoritare dhe okupatore”.
Edhe sot, pas 15 vitesh nga pavarësia dhe afër 25 vjetësh prej çlirimit, jemi të përkushtuar për mbrojtjen e këtyre vlerave për të siguruar që dinjiteti i çdo qenie njerëzore është i paprekshëm”, shkroi Haradinaj.
“Sot, ne, si një shtet i pavarur e demokratik, vazhdojmë rrugën tonë drejt një të ardhmeje ku drejtësia dhe respekti ndaj të drejtave të njeriut janë të garantuara dhe mbrojtura si vlera themelore, duke përfshirë këtë Deklaratë në Kushtetutën tonë”, shtoi ai.