Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Në Hagë, pritet të vazhdojë dëshminë dëshmitarja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e cila është e 41-ta dhe mban kodin W04489 në këtë gjykim.
Të enjten, më 18 janar, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, kërkoi që të kalohet në seancë private për të diskutuar një çështje në mënyrë që të ruhet identiteti i dëshmitares.
Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, për këtë javë pritet të mbahen tri seanca, raporton RTKlive.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill të vitit të kaluar, kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.
Ndryshe, më 17 janar Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ua kanë vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.