Grupet më të mëdha politike në Parlamentin Evropian (PE) kanë përfunduar draftet e propozimeve të tyre për një Rezolutë për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe incidentet e fundit të armatosura në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.
Përmes kësaj rezolute, ato do të kërkojnë vendosjen e masave ndëshkuese kundër Serbisë, shkruan N1.
“Por, grupet më të mëdha politike në Parlamentin e Evropian kanë qëndrime të ndryshme nëse duhet të prezantohen menjëherë apo vetëm nëse vërtetohet se Beogradi zyrtar ka lidhje me sulmin terrorist në veri të Kosovës”, shkruan mediumi bazuar në burimet e veta brenda PE-së.
“’Populistët’” evropianë nga Partia Popullore Europiane (EPP), grupi politik më i shumtë në Parlamentin Evropian, janë të mendimit se duhet dënuar përkrahja që u ka dhënë Beogradi zyrtar autorëve të sulmit terrorist, por ata nuk do të insistojë në gjuhë të ashpër dhe dënime apriori ndaj Serbisë, për shkak të kundërshtimit të disa anëtarëve partiakë të grupit, të cilët sipas njohurive të N1 vijnë kryesisht nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. EPP dhe të Gjelbrit (Greens/EFA) bien dakord që Serbia duhet të ndëshkohet, por vetëm nëse hetimi tregon lidhjen e shtetit me incidentin në Banjska, ndërsa socialdemokratët besojnë se Serbia është de fakto përgjegjëse për ngjarjet të 24 shtatorit dhe se ajo duhet të dënohet menjëherë për këtë, si dhe për veprimet e mëparshme, të cilat sipas tyre nuk kanë qenë të favorshme për bashkëpunim dhe qetësim të situatës”, thuhet po aty.
Ndërkaq, sipas burimeve të këtij mediumi, nacionalistët, socialdemokratët dhe ‘të gjelbrit’ janë të mendimit se masat ndëshkuese ndaj Kosovës duhet të hiqen.
Të dielën e 24 shtatorit Serbia kreu agresion ndaj Kosovës, në të cilin nga terroristët serbë mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë. Bashkësia ndërkombëtare dënoi një sulm te tillë, por që Bashkimi Evropian ende nuk i ka vendosur sanksione Serbisë.