Zëvendëskryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi i tha Gazetës Express se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka kërkuar ta takojë Ali Ahmetin, kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, partisë më të madhe të shqiptarëve atje.
Kurti të premtën do të pritet në Shkup nga kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu nga Lëvizja Demokratike dhe në Tetovë nga Bilall Kasami, kryetar i kësaj komune dhe i Lëvizjes Besa. Vizita e shefit të Qeverisë së Kosovës në Maqedoninë e Veriut shihet si përpjekje për thellimin e bashkëpunimit me opozitën shqiptare në shtetin fqinj.Z. Kurti nuk ka kërkuar takim me liderin Ali Ahmeti”, tha Grubi.
Nga kabineti i kryeministrit Kurti nuk janë përgjigjur konkretisht se pse ai kësaj radhe nuk do të takohet me Ahmetin.
Grubi i tha Expressit se “duket se vizita ka karakter lokal”.
“Nga paralajmërimi i zëdhënesit të qeverisë së Republikës së Kosoves, duket se vizita ka karakter lokal me ftesë të kryetarevë te dy komunave për manifestime të tyre lokale”, tha zëvendëskryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha se “vizita e kryeministrit Kurti në Maqedoni të Veriut do të realizohet me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, me rastin e riemërtimit të një rruge në Shkup me emrin e veprimtarit Adem Demaçi dhe inaugurimit të një segmenti të rëndësishëm rrugor të lidhjes Prizren-Tetovë”. Ai në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, duke përmendur thjesht se Kurti e Ahmeti janë takuar “në kuadër të Forumit të Prespës në Strugë” dhe se “komunikimi ndërmjet kabineteve qeveritare është i rregullt”.
Bujar Osmani, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut që vjen nga BDI-ja, tha të hënën se s’janë informuar zyrtarisht për vizitën e Kurtit, duke pandehur se ai s’do të shkojë si kryeministër.
“Ne nuk kemi informacione zyrtare për ardhjen e Kurtit. Kështu, me shumë gjasë ai nuk është duke ardhur si kryeministër. Po shohim nëpër rrjetet sociale, vetëm komunikim partiak, kështu që, me të vërtetë nuk e kam idenë se për çfarë vizite bëhet fjalë”, tha Osmani në telvizionin Sitel.