Sunday, November 10, 2024
spot_img
BallinaLajmeGërvalla i reagon Vuçiqit: Pavarësia e Kosovës nuk shkel Kartën e OKB-së

Gërvalla i reagon Vuçiqit: Pavarësia e Kosovës nuk shkel Kartën e OKB-së

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dënuar fjalimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbajtur para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dhe tha se ishte një “tentim për shtrembërim të historisë” lidhur me Kosovën.

Gërvalla hodhi poshtë pretendimet e Vuçiqit se “zanafillën e agresionit rus në Ukrainë e sheh te pavarësimi i Kosovës, dhe paturpshëm pretendon se më 2008 Serbisë i ka ndodhur kjo që i ndodhë Ukrainës sot”.

“Deklarata e shpalljes së pavarësia e Kosovës nuk është shkelje e ligjit ndërkombëtar, e as rezolutave dhe dokumenteve të tjera relevante të OKB-së, rrjedhimisht as Kartës së OKB-së. Këtë e ka gjykuar dhe vendosur trupi më i lartë juridik i OKB-së, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në opinionin e saj të nxjerrë më 22 korrik 2010,me kërkesë të vet Serbisë”, tha Gërvalla përmes një deklarate të lëshuar në orët e vona të 21 shtatorit.

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fdonikagervalla%2Fposts%2Fpfbid035Ao5NvbB316P6VTQbHf9oKVPVGwBnrcMwjeQw2NsDMmdwh91oaHH4PhzDU8s2LQil&show_text=true&width=500

Vuçiq para Kombeve të Bashkuara akuzoi shtetet Perëndimore se kanë “shkelur brutalisht” Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 12 44, duke e njohur pavarësinë e Kosovës dhe duke “i mohuar të gjitha parimet që sot po i mbrojnë”.

Rezoluta 12 44 e Kombeve të Bashkuara, së cilës iu referua Vuçiqi, i dha fund luftës në Kosovë. Ndër të tjera, rezoluta parasheh mandatin e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, me qëllim të mbrojtjes së të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Me këto shpifje dhe përpjekje për shtrembërim të historisë, presidenti i Serbisë ka keqpërdorur rëndë foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Nëse ka një ngjashmëri mes agresionit rus në Ukrainë dhe rastit të Kosovës, ajo është vetëm te fakti se Rusia sot ka marrë në shënjestër Ukrainën dhe ukrainasit ashtu si Serbia më 1999 kishte marrë në shënjestër Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës”, tha Gërvalla, duke shtuar se për këtë arsye Kosova përkrah Ukrainën në luftën kundër Rusisë.

Për dallim nga Kosova, Beogradi, aleat i Moskës, nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë pas nisjes së pushtimit të paprovokuar të Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar.

Edhe më herët, zyrtarë rusë kanë tërhequr paralele mes Kosovës dhe Ukrainës. Në prill të vitit 2022 presidenti rus, Vladimir Putin, e kishte krahasuar Kosovën me dy rajonet separatiste në Ukrainë, Donjeckun dhe Luhanskun, të njohura bashkërisht si Donbas.

Këto krahasime janë cilësuar si “injorancë” nga zyrtarët në Kosovë.

Gërvalla në reagimin e saj po ashtu akuzoi Vuçiqin se gjatë fjalimit të tij në OKB shkeli zotimet e bëra në Marrëveshjen drejt normalizimit, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti.

“Më atë marrëveshje, presidenti i Serbisë është pajtuar edhe që Serbia të mos flasë në emër të Republikës së Kosovës në forumet ndërkombëtare, dhe të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare, përfshirë OKB-në”, shtoi Gërvalla.

Ajo kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare, veçmas Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që të “dënojnë një gjuhë të tillë” të përdorur nga Vuçiq, dhe “t’ia rikujtojnë atij obligimet që ka marrë me pajtimin e shprehur në Bruksel dhe Ohër”.

Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve, e përbërë prej 11 nenesh, parasheh që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në anëtarësime në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Po ashtu, aty parashihet edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fdonikagervalla%2Fposts%2Fpfbid035Ao5NvbB316P6VTQbHf9oKVPVGwBnrcMwjeQw2NsDMmdwh91oaHH4PhzDU8s2LQil&show_text=true&width=500

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit