Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, ka reaguar sot pas deklaratave të zv.kryeministrit të parë Artan Grubi për hapjen e pikës së re kufitare Llojan-Miratoc, mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ganiu tha se Grubi ka hyrë në politikë për të hapur kazino dhe jo pika kufitare, shkruan gazeta LAJM.
“Dje kishim një anëtar tonin, të Këshillit të Përgjithshëm që doli deri te kufiri dhe përveç se drunj dhe ferra, nuk pamë asgjë tjetër. z.Grubi në mënyrë bombastike e lajmëroi se edhe internet është lëshuar atje dhe ju gazetarët mund ta vëzhgoni atë terren dh eta shihni që s’ka asgjë me realitetin me atë që e fliste dhe në fund e la fajin që është tek shteti i Serbisë. Nga ana tjetër kur ishte puna për Ballkanin e Hapur shumë shpejtë kontaktonin me Vuçiqin, bile marshonin nëpër rrugët e Maqedonisë bashkë, duke i treguar monumentet Vuçiqit se sa janë të rëndësishme, kurse për punën e kufirit nuk paskan komunikim dhe këtë e autorizoi në njëfarë mënyrë nga Bujar Osmani që të bisedojë në të ardhmen dhe të zgjidhet edhe ky problem. Mendoj që ata nuk kanë hyrë për të zgjidhur problemet e shqiptarëve që i tangojnë me të cilat ballafaqohen çdo ditë, por kanë hyrë që të hapin sa më tepër kazino, kredi të shpejta dhe nuk dua të prejudikoj asgjë por jo më larg se 30 metra këtu në hyrje të Çarshisë thonë se përgatitet një objekt i madh që do të jetë në shërbim të kazinos që për neve vetëm e devallvon Çarshinë”, tha Ganiu.
Ditë më parë në Kumanovë, Grubi tha se Maqedonia e Veriut ka kryer të gjitha procedurat, por se hapja e pikës kufitare Llojan-Miratoc po zvarritet nga pala serbe.
“Llojan-Miratoc. Kemi nënshkruar marrëveshjen me Serbinë, e kemi miratuar në Qeveri, e kemi propozuar ligjin në parlament, e kemi ratifikuar ligjin në Parlament, rrugën e kemi ndërtuar, internetin e kemi dërguar, telefonin e kemi dërguar deri aty. Premtoi pala serbe që do angazhohen edhe ata. Nuk e kanë interes jetik sepse nuk kanë qarkullim as ekonomik, as njerëzor, asnjë lidhje për interes të shtetit të Serbisë dhe prandaj zvarritet kjo çështje. Nga ana teknike, juridike, infrastrukturore të gjitha nga ne janë kryer për atë kufi. Mbetet vetëm edhe Serbia ta sjell vendim dhe të operacionalizohet edhe ai kufi”, tha Grubi.