Aleanca për Shqiptarët është duke përjetuar momentet më dramatike që nga themelimi, apo thënë më mirë që nga shkëputja prej PDSH-së. Prej shkëputjes lindi po rrezikohet nga një shkëputje tjetër që do të lë pasoja jo të pakta duke marrë parasysh momentin parazgjedhor. ASH këto ditë shihet si një pacient që ka ngel mes dy mjekëve që ka nevojë për kurim por mungon një diagnozë e vërtetë. Fundjava ishte e errët dhe e zymtë për këtë parti, e sidomos për anëtarët dhe simpatizantët që janë jo të paktë. Të shtunën në mbrëmje kreu i ASH-së, Arben Taravari, përmes një postimi sqaroi qartë pozicionimin e tij si lider partie dhe kërkoi mbështetjen e kuvendarëve që ASH t’i bashkëngjitet bllokut opozitarë, një ditë më vonë të dielën, Ziadin Sela, grumbullon disa funksionarë përreth tij dhe mban konferencë për shtyp duke shprehur pakënaqësinë për kryetarin e partisë, shkruan Zhurnal.
Dita e shtunë e Taravarit –
Dy mjekët që po mbajnë pengë partinë, Arben Taravari në krye dhe Ziadin Sela në krye të Kuvendit të partisë, kanë ndarë edhe ditët e javës. Ku e shtunja që lamë ishte dita e nata e Taravarit. I cili veproi në mënyrë të mençur duke shprehur atë që po e presin qytetarët orientimin e kësaj partie për zgjedhjet e ardhshme. Por, kjo gjë sigurisht që nuk i pëlqeu kujto e secilit, as atyre brenda partisë.
“Qytetari po kërkon Ndryshim! Populli po kërkon një sistem politik të çliruar nga epidemia e korrupsionit, që është bërë frenuesi më i madh për mirëqenien dhe zhvillimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Në cilësinë e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, ftoj publikisht Kuvendin e partisë të më mbështesë në këtë rrugëtim dhe bashkë, t’i prijmë këtij procesi që unë e quaj Ndryshimi i Madh dhe i Shumëpritur!” ka shkruar të shtunën në mbrëmje Taravari në profilin e tij në facebook.
Me çka ka bërë të qartë edhe orientimin e partisë që në zgjedhjet e ardhshme do të jetë krah për krah me opozitën e bashkuar shqiptare, për të ofruar ndryshimin e shumëpritur në kampin politik shqiptarë. Por, kjo gjë nuk po i shkon përshtati, Ziadin Seles, kryetarit të Kuvendit të ASH-së, së bashku me disa anëtarë të tjerë, janë kundër këtij propozimi të Taravarit.
Me reagim të menjëhershëm ishte Sela i cili deklaroi se ndjehet i tradhtuar nga kryetari aktual i ASH-së, Arben Taravari dhe se të gjitha këto zhvillime kanë për qëllim përçarjen e ASH-së.
Ziadin Sela në profilin e tij në facebook është shprehur se nuk është i informuar për ndonjë ofertë të mundshme për koalicion me ndonjë parti tjetër. Ai bëri akuza në drejtim të ”nuk e di kujt”, për siç tha ai kontrabandimin e Partisë nëpërmjet të një statusi në “facebook”.
Mbrëmja e së shtunës “vloi” nga statuse dhe poste të njëpasnjëshme të anëtarëve të ASH-së, që qartësisht kuptoheshin ndarjet se kush përkrah Selen e kush Taravarin.
E diela e Seles –
Dje, ora 18:00, kryetari i Kuvendit të ASH-së, Ziadin Sela thirri mediumet për konferencë nga selia e partisë e cila nga jashtë ishte e vërshuar nga policia dhe më shumë i ngjante një aksioni policor sesa një konference për shtyp të një politikani. Pavarësisht pamjeve jashtë, nga brenda selisë u thanë fjalë të shumta
“E kemi dhënë mundin gjakun, sakrificën dhe djersën e kemi dorëzuar te njerëz që iu besuam, e sot konstatoj se u keqpërdoren. Më duhet të jem transparent përpara shqiptarëve dhe kryetarëve të degëve duke u dhënë një mesazh, unë dua ta thërras sa më shpejtë kuvendin qendror sepse po afrohen zgjedhjet, por nga ana tjetër ne po mbahemi në një terr informativ”, tha Sela në konferencë për media.
Mes tjerash Sela informoi se ka thirrur Kuvendin e partisë për të shtunën që vjen, nga ku do t’i kërkohet llogari kryetarit të partisë, Arben Taravari për veprimet e tij të fundit.
A kanë nevojë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut për ndryshim?
Duket se Arben Taravari, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, e ka vulos kalimi e ASH-së në krah të opozitës shqiptare për zgjedhjet e 8 majit. Në një postim në profilin e tij në Facebbok, Taravari falënderon aktivistët për mbështetjen, apo siç shkruan ai, falënderim se është dëshmitar i gjallë i mrekullisë së një populli.
“E dija se shumë veta do ishin dakort me deklaratën time pasi unë e mora këtë vendim duke ju pasur prioritet ju dhe nevojën tuaj për Ndryshim…por prej dje dhe deri tani që shkruaj prej jush kam marrë qindra-mijëra mesazhe urimi, falenderimi, frymëzimi dhe motivimi sa reagimi juaj ka kaluar çdo pritshmëri të mundshme…”, shkruan Taravari.
Mes tjerash, nisma e kryetarit Taravari merr mbështetjen e shumicës së kuvendarëve të ASH-së. Pas kumtimit të qëndrimit të djeshëm të Kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Dr Arben Taravari, për 24 orë janë mbledhur 80 nënshkrime të kuvendarëve në mënyrë vullnetare nga gjithsej 133 sa numëron Kuvendi, ndërsa procesi i mbledhjes së nënshkrimeve po vijon. Shumica e Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët është qartë për Ndryshimin e Sigurt. Kryetari Taravari bën thirrje pë urtësi, maturi dhe unitet, që BDI përfundimisht të dërgohet në opozitë. Ndryshimi po vjen!”, thuhet në njoftimin e Taravarit
Mbetet të shihen veprimet tjera ditët në vijim deri të shtunën që vjen, kur edhe do të mbahet mbledhja e Kuvendit të ASH-së, se çfarë në realitet do të vendoset. Por, ajo që është e rëndësishme për qytetarët e vendit është një orientim i drejt dhe i duhur i kësaj partie.