Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se konfrontimi me Iranin “nuk ka përfunduar ende”.
Ai i bëri komentet pasi Irani, natën mes 13 dhe 14 prillit, lëshoi qindra dronë dhe raketa në drejtim të Izraelit, në shenjë hakmarrjeje për një sulm vdekjeprurës në konsullatën e tij në Siri më 1 prill.
Ndonëse Irani e akuzoi Izraelin për kryerjen e këtij sulmi, ky i fundit as nuk e konfirmoi, as nuk e mohoi.
Izraeli tha se rreth 300 dronë dhe raketa u hodhën nga Irani, ndërsa disa të tjera edhe nga Iraku dhe Jemeni.
Forca e Mbrojtjes e Izraelit tha se 99% e tyre u rrëzuan përpara se të hynin në hapësirën ajrore izraelite.
“Ne i zmbrapsëm, së bashku do të fitojmë”, shkroi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në platformën X, të dielën.
Pyetja tani është se si do të reagojë Izraeli.
Autoritetet e këtij vendi u zotuan se do të hakmerren kundër çdo sulmi të drejtpërdrejtë nga Irani dhe kabineti i luftës u mblodh gjatë natës për të diskutuar situatën.
Irani, ndërkohë, paralajmëroi reagim edhe më të ashpër, nëse Izraeli e sulmon.
Tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë të larta prej dekadash, por kjo është hera e parë që ndodh një sulm direkt.
“Situata është në zhvillim”, tha Forca e Mbrojtjes e Izraelit, duke shtuar se “është e gatshme për të luftuar çdo kërcënim të mëtejshëm nga Irani”.
Zëdhënësi kryesor i ushtrisë së Izraelit, Daniel Hagari, tha se veprimet e Iranit “e shtyjnë rajonin drejt përshkallëzimit”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se i ka thënë kryeministrit Netanyahu se Izraeli ka demonstruar “kapacitet të jashtëzakonshëm” për t’u mbrojtur kundër sulmeve të paprecedente të Teheranit.
Biden tha se do të thërrasë një takim të udhëheqësve të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, “për të koordinuar një përgjigje të bashkuar diplomatike” kundër sulmit iranian.
Italia, e cila aktualisht mban presidencën e G7-ës, ka bërë thirrje për një takim virtual për të diskutuar sulmin, raportoi agjencia e lajmeve, Reuters.
Sipas burimit të njëjtë, aleati më i fuqishëm i Iranit në rajon, grupi shiit libanez, Hezbollah – i cili ka shkëmbyer zjarr me Izraelin që nga fillimi i luftës në Gazë tetorin e kaluar – tha të dielën herët se ka lëshuar disa raketa në drejtim të një baze izraelite.
Raportohet se sulme me dronë kundër Izraelit kreu edhe grupi Huthi i Jemenit, i lidhur gjithashtu me Iranin.
Reuters shkruan se “këto përleshje kërcënojnë të shndërrohen në një konflikt të hapur të drejtpërdrejtë, që do të vinte përballë Iranin dhe aleatët e tij rajonalë, në njërën anë, dhe Izraelin dhe mbështetësen e tij kryesore, SHBA-në, në anën tjetër”.
Ushtria izraelite tha se nuk i këshillon banorët të përgatiten për t’u strehuar.
Izraeli, gjithashtu, rihapi hapësirën ajrore, pas shtatë orësh mbylljeje. Ngjashëm veproi edhe Jordania.
Agjencia iraniane e lajmeve, Fars, citoi një burim të ketë thënë se Teherani po e vëzhgon nga afër Jordaninë, e cila mund të bëhet objektiv i radhës, në rast të ndonjë lëvizjeje në mbështetje të Izraelit.
Bashkimi Evropian, Britania, Japonia, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Meksika, Holanda, Norvegjia dhe vende të tjera e dënuan sulmin e Iranit kundër Izraelit dhe bënë thirrje për përmbajtje. /RadioEvropaeLirë/