Ministria e Jashtme e Ukrainës ka bërë të ditur të premten se ambasadat e gjashtë shteteve, përfshirë ato të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, janë dëmtuar si pasojë e sulmeve ruse në Kiev.
Autoritetet ukrainase kanë thënë se stafi diplomatik nuk është lënduar.
Në të njëjtën ndërtesë në Kiev kanë qenë ambasadat e këtyre tri vendeve, plus tri vendeve tjera.
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut njofton se ambasadori i jashtëzakonshëm dhe i plotfuqishëm i Federatës Ruse në Shkup, Sergej Bazdnikin, është thirrur në ministri sot pasdite.
“Në të njëjtën kohë, ambasadorit rus iu dorëzua një notë proteste ku shprehet dënimi dhe protesta e fortë për dëmet materiale të shkaktuara nga sulmi me raketa i forcave të ushtrisë ruse në Kiev, gjatë të cilit u godit edhe Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut. ”, tha MPJ.