Nëntori lirshëm mund të konsiderohet muaji i shqiptarëve, pasi në këtë muaj ka data të rëndësishme historike dhe kulturore për shqiptarët. Janë data që shënojnë krijimin e themeleve të kombit shqiptarë. Java e mesit të nëntorit 14-22 Nëntor shënon Kongresin e Manastirit apo ndryshe njihet si Kongresi Alfabetit pasi në këtë kongres në këto data në vitin 1908 u bë standardizimi i alfabetit të gjuhës shqipe. Fakti që 22 nëntori është ditë feste apo ditë jo pune për shqiptarët nuk e përshkruan dhe reflekton respektin e plotë për gjuhën shqipe, gjuhë që e flasin populli shqiptarë në Maqedoninë e Veriut që është popull shtetformues. Ironia më e madhe është se shënohet ditë feste Dita e Alfabetit në shtetin në të cilin gjuha shqipe identifikohet me përqindje në Kushtetutë. Pra, shqiptarët të festojnë për atë që maqedonasit e shohin si pengesë dhe nuk lejojnë t’i kthehet dinjiteti gjuhës shqipe. Në Kushtetutën e RMV-së askund nuk figuron gjuha shqipe, në vend të këtij përkufizimi të saktë dhe adekuat kanë vendosur përshkrimin “gjuha që e flasin 20% e popullsisë”, pra është ofendim edhe për shqiptarët edhe për gjuhën shqipe, gjuhën më të pasur dhe të pastër e të vjetër në Evropë, shkruan Zhurnal.
Në RMV festohet 22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe-
Në Maqedoninë e Veriut sipas kalendarit për festat e vitit 2023, 22 Nëntori është caktuar si ditë feste për shqiptarët e këtij vendi. Në shikim të parë reflekton sikurse kemi të bëjmë me një shtet që respekton edhe etnitë tjera si dhe nuk anashkalon as edhe ditët e festave. Kjo mbase është një reflektim i rrejshëm dhe jo i vërtet, sepse respektimi i etnive tjera në këtë shtet më tepër është deklarativ se sa praktik.
Kjo dëshmohet me faktin që tani në këtë ditë kur shënohet si Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe është festë ndërkaq ndodhë shpesh që edhe gjatë kësaj dite të ketë “përdhosje” të gjuhës shqipe duke mos e respektuar as minimalisht.
Në çfarë gjendje është gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut?
Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut është në një gjendje “letargjie”, që nuk respektohet edhe nga ata që e përdorin e kanë gjuhë amtare e lëre më nga pala tjetër. Për zyrtarizimin e gjuhës shqipe shpesh herë është festuar me shampanjë, dhe pas kësaj ka ngelur vetëm shkuma e shampanjës sepse asgjë tjetër konkrete nuk është vërejtur në praktikë.
Megjithatë, ekziston një ligj i cili është i njohur si “ligji për përdorimin e gjuhëve”, për të cilin ligj nuk mbeti parti shqiptare pa u krenuar se kanë qenë shkaktar për sjelljen e këtij ligji. Por, edhe pas kalimit të këtij ligji pothuajse asgjë nuk ndryshoi për sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe në nivel republikan. Por, këto “bajraktarët” e zëshëm dikur ranë në gjumë dhe nuk po interesohen për ata se si po rrjedhë zbatimi i këtij ligji në praktikë.
Sa zbatohet gjuha shqipe si gjuhë e dytë zyrtare në RMV?
Ligji për përdorimin e gjuhëve, në bazë të cilit gjuha shqipe fiton një shtrirje më të gjerë të përdorimit zyrtar në institucionet e Maqedonisë së Veriut, edhe pasi ka hyrë në fuqi përballet me shumë vështirësi që të zbatohet në praktikë. Të gjitha institucionet që nuk e zbatojnë Ligjin për gjuhët mbeten të pandëshkuar si rrjedhojë e pasivitetit të inspektoratit për këtë çështje, përkatësisht për dënimin e shkelësve të këtij ligji.
Përderisa nga Agjencia për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë bërë të ditur se në mbi 90 për qind të institucioneve në Maqedoninë e Veriut, dygjuhësia nuk zbatohet siç përcaktohet në ligj. Përpos, kësaj Agjencie është themeluar edhe Inspektorati për zbatimin e gjuhës shqipe, institucion të cilin e drejton një shqiptar, nuk ka arritur t’i fut në funksion mekanizmat për gjobitje të atyre institucioneve që nuk e respektojnë ligjin. Me fjalë të tjera gjuha shqipe është gjuha e dytë zyrtare në vend por vetëm në letër, sepse në praktik është krejtësisht situatë ndryshe.
Gjuha shqipe në Kushtetutën e RMV-së është e identifikuar si gjuha që e flasin 20% të popullsisë-
Mungesa e unifikimit të partive politike shqiptare, si dhe mungesa e faktorizimit të politikanëve shqiptarë është shkaku kryesor që gjuha shqipe sot gëzon këtë status të mjerueshëm, ku në Kushtetutën e vendit identifikohet me përqindje. Për dallim prej popujve tjerë që e kushtëzojnë vendin me bllokada të ndryshme deri sa qytetarët e etnive të tjera të gëzojnë të drejtat e merituara, populli shqiptarë e politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut nuk e kanë provuar asnjëherë të vendosurit kushte.
Madje, më e rëndë se kaq zhvillohet një luftë mes partive politike shqiptare kush e para do të ulet në Qeveri me cilën do parti politike maqedonase, pa çka se të njëjtat nuk ua njohin e respektoj gjuhën. Kur flasim për largimin e kësaj përqindjeje për gjuhën shqipe nga Kushtetuta e vendit, politikanët shqiptarë janë ato të cilët tregohen “demokratët” më banal të mundshëm që shprehen se kur flasim për këtë çështje nuk duhet kushtëzuar integrimi evropian për gjuhën shqipe. Me këso veprime skandaloze është mjerim për kombin shqiptarë dhe gjuhën shqipe që kush e flet dhe kush i takon këtij kombi. E së fundmi opozita e bashkuar e emëruar si Lidhja Evropiane për Ndryshim e përbërë nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe Alternative kanë kushtëzuar votat e tyre në Kuvend për ndryshimet kushtetuese me heqjen e 20% të gjuhës shqipe nga Kushtetuta.
Kujtojmë që, gjendja e statusi i gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk do të ndryshojë asnjëherë, madje çka mund të ndodhë është vetëm “përdhosje” edhe më e ulët, me këtë kastër të pa unifikuar që interesin kolektiv e sakrifikojnë për një interes personal partiak e klanor. Politikanë të pa përgjegjshëm, që nuk brengosen për elementin kryesor të një kombi “gjuhën”, kjo dëshmon se edhe gjatë kohë gjuha shqipe do të jetë në këtë gjendje të turpshme, dhe e zyrtarizuar e pa zbatuar.