I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka tërhequr vërejtjen se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”. Gjatë një debati në Këshillin e Atlantikut në Uashington, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, Eskobar tha se “nëse nuk arrijmë ta shtensionojmë situatën, do të kemi viktima”, tha diplomati amerikan.
Sa i përket tre policëve të Kosovës, që gjenden në paraburgim në Serbi, Escobar tha edhe nëse ata janë rrëmbyer apo kanë hyrë gabimisht në territorin serb, ata duhet të lirohen menjëherë. Ndërkaq, Lajçak tha se prioriteti i parë është shtensionimi i situatës, largimi i njerëzve nga rruga dhe kthimi i dialogut. Escobar u pyet për akuzat se SHBA-ja dhe BE-ja janë të butë ndaj Serbisë dhe të ashpër me Kosovën. Por, zyrtari amerikan tha se për 15 vjet, çdo gjë që ka bërë Uashingtoni ka qenë në favor të Kosovës, duke filluar nga pranimi i pavarësisë, fushata për njohjet e Kosovës, pranimi i zgjedhjeve të fundit në veri.
Edhe Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i është lutur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që të dëgjojë rekomandimin e Budapestit zyrtar dhe t’i kthejë policët e arrestuar të Kosovës në vendin e tyre. Orban tha se lirimi i policëve t’i ndihmonte Serbisë “në kauzën e vet”. Ndryshe, vendkalimi kufitar në Merdare, që lidh Kosovën me Serbinë, vazhdon të jetë i bllokuar për kamionë dhe autobusë, ndërkaq përmes tij mund të kalojnë veturat private. Situatë e ngjashme është edhe në pikën kufitare në Jarinjë, ndërkaq ajo e Bërnjakut është krejtësisht e bllokuar për hyrje dhe dalje.