Kreu i këshillit të komunës së Tetovës ka akuzuar pushtetin se po bën pengesa në zgjedhjen e kryeshefit të SPB-së në Tetovë duke refuzuar propozimet e dhëna nga komuna e Tetovës dhe duke propozuar emra të cilët nuk i plotësojnë kushtet. Besar Durmishi thotë se për kryeshef të SPB-së propozohet bashkëshorti i një deputeteje të Bashkimit Demokratik për Integrim. Ditë më parë nënkryetari i VMRO-së Aleksandar Nikollovski tha për Alsat se ministri i ri teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, pozitën e kryeshefit të policisë në Tetovë do t’ia besojë opozitës shqiptare. Nikollovski, tha se Toshkovski do të kërkojë nga Bilall Kasami që të propozojë emrin e kryeshefit.
“Kjo qeveri e korruptuar një herë propozon kandidat i cili nuk i plotëson kriteret për atë pozicion, të cilin ne si këshill e kemi refuzuar, tani po bie një person tjetër i cili po ashtu nuk është adekuat për pozicionin por që shkon edhe më tej dhe është thjesht nepotizëm, pasi ky kandidat i ri është burri i një deputeteje të shumicës. Këta po e shkelin ligjin jo me dy këmbë si njerëz, por me katër këmbë. Këta nuk kanë dertin e respektimit të ligjit, por dert i tyre është vetëm e vetëm që ta kenë policinë në dorë dhe të manipulojnë gjithçka. Policia Ju duhet që të kërcënojnë dhe dëshirojnë që të manipulojnë edhe procesin zgjedhor që do mbahet me 8 maj”, deklaroi Besar Durmishi, Kryetar i këshillit komunal të Tetovës.