Një ditë pas ekzekutimit të mafiozit grek, Vangjelis Zabunis në rrugën “Ilia Iliu” në qendër të Athinës, janë publikuar pamjet e atentatit të regjistruar nga kamerat e sigurisë.
Kamerat kanë mundur të fiksojnë momentin kur 44-vjeçari hyn në makinën e parkuar. Pas sekonda më pas, afrohet makina e autorëve. Këta të fundit, dalin jashtë dhe qëllojnë dhjetëra herë drejt makinës së Vangjelis Zabunis. I pamëshirshëm në aktin e tij, një nga ekzekutorët hap derën e makinës dhe vazhdon të qëllojë sërish, për të qenë më se i sigurt se Zabunin ka vdekur.
Policia tha se gjeti 97 gëzhoja në vendngjarje dhe se dyshohet që atentatorët të kanë përdorur 3 armë të ndryshme, të paktën 2 kallashnikovë, që u gjetën në makinën e djegur të autorëve) dhe një pistoletë 9 mm, raporton Top Channel.
Zabunis, një eksponent i rëndësishëm i botës së krimit në Greqi, u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës në rrugën “Ilia Iliu”, në qendër të Athinës. Pak minuta pas ekzekutimit në dalje të Athinës në vendin e quajtur Hajdari, u gjet i djegur edhe automjeti i autorëve, një fuoristradë e cila rezultonte e marrë me qira, ndërsa brenda mjetit ndodheshin edhe armët e përdorura në vrasje.
Policia beson se njeri ose me shume prej ekzekutoreve janë vrasës me pagesë. Dyshohet qe ata kane mbërritur nga një vend ballkanik, me gjasa nga Shqipëria.
44-vjeçari i kishte shpëtuar një tjetër atentati 3 vite më parë. Por ndryshe nga atëherë, kur autorit iu bllokua arma, këtë herë autorët nuk gabuan. Zabunis ishte arrestuar disa herë dhe ishte në top listën e të dyshuarve për disa sulme ndaj bandave të tjera. Ai merrej edhe me kondrabandë të karburanteve dhe pijeve alkoolike si dhe gjobë-vënie.