“Darka e Lamës”, e shtruar nga presidentja Vjosa Osmani mbrëmë në kampin e Policisë “Enver Zymeri’, ka nxitur reagimin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu- Kodra tha se njësia speciale intervenuese e njohur si FIT ka refuzuar të marrë pjesë në këtë darkë për shkak të pakënaqësive.
Sipas saj, kjo njësi po e shqyrton largimin e përkohshëm nga Policia e Kosovës.
“Në kohën kur ne po flasim, Njësia Speciale Intervenuese e njohur si ‘FIT’ është duke e shqyrtuar mundësinë e largimit të përkohshëm nga Policia për shkak të pakënaqësive me Qeverinë në raport me kërkesat që i kanë pasur e nuk janë plotësuar. E njëjta njësi e refuzoi ftesën e presidentes Osmani për Darkën e Lamës”- tha Deliu- Kodra.
Sipas saj, “Darka e Lamës”, ka shpërfaqur mentalitetin e pushtetit, që sipas saj “ka mburrje, fotografi, urdhëru, darka e lëmoshë por jo vullnet politik për ta ndihmuar Policinë”.
Ajo, po ashtu ka kritikuar mungesën e Lëvizjes Vetëvendosje në seancën ku po diskutohet për Rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.
“Nëse do ta kisha sot zonjën Mimoza Kusari- Lila do i bëja pyetje të drejtpërdrejt. Është mirë që shefja e grupit të na kallxoj a është koordinuar me Radoiëiqin të mos marrë pjesë në ketë seancë. Unë vetëm kështu mundem me kuptu mospjesëmarrjen e pozitën në seancë për Policinë e Kosovës”- tha ajo.
‘Darkën e Lamës’, e ka përmendur edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.
“Më shumë sesa ‘Darka e Lamës’, Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, kanë nevojë për ndarje të mjeteve financiare, për pagesën e shtesës së rrezikshmërisë, dhe mbulimin e pagesës së sigurimit shëndetësor”- tha ajo.
Disa nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës që kanë qenë pjesë e aksionit në Banjskë të Zveçanit nuk kanë pranuar të ulen në tavolinë për “Darkën e Lamës”, të shtruar nga presidentja Vjosa Osmani.
Elitarët e Policisë, sipas burimeve të KALLXO.com, nuk kanë marrë pjesë në shenjë proteste për kushtet e punës. “Nuk kemi qenë pjesë, kemi kërkesa të cilat i kemi adresuar” – ka thënë njëri nga pjesëtarët e Njësisë i intervistuar nga KALLXO.com.