Monday, November 25, 2024
spot_img
BallinaLajmeDaçiqi thotë se video ku shfaqet Radoiçiqi nuk ishte e ditës së...

Daçiqi thotë se video ku shfaqet Radoiçiqi nuk ishte e ditës së sulmit

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se videoja e sotme e publikuar nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ku shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, duke drejtuar grupin e sulmuesve në Banjskë, nuk ishte realizuar të dielën.

Daçiq për televizionin serb “RTS” e ka quajtur videon “një gënjeshtër tjetër”.

Pamjet e publikuara nga ministri Sveçla ishin nga droni, ndërsa shihet Radoiçiq i armatosur dhe me uniformë, duke drejtuar një grup tjetër të personave të armatosur e në uniforma.

“Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve. Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan”, kishte shkruar Sveçla në Facebook të martën.

Ivica Daçiqit i ka penguar që grupi që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit të dielën, po quhet grup terrorist.

Në sulmin në Banjskë u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa u plagën tre policë tjerë. Po ashtu u vranë edhe tre sulmues.

“Tash ata që janë kundër terrorit të Kurtit dhe që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, po i quajnë terroristë. Në vitin 1999 në Kosovë janë vrarë 300 deri 400 policë serbë, janë vrarë nga të ashtuquajturit luftëtarë të lirisë dhe tash serbët qenkan terroristë”, ka thënë Daçiq.

Ai ka shtuar se “nuk dëshiron t’i justifikojë veprimet e dhunshme”.

“Na vjen keq për vrasjen e një polici, humbjen e jetëve të serbëve dhe që ka ndodhur një incident i tillë që nuk është në interes të Serbisë”, tha Daçiq.

Ai ka thënë se nuk e ka të qartë me cilin “nen të Rezolutës 1244 apo të marrëveshjes së Brukselit” në veri të Kosovës lejohet prania e Policisë së Kosovës.

Daçiq ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “është fajtori i vetëm i asaj që ka ndodhur”.

Ai ka thënë se “Prishtina dhe opozita në Serbi po mundohen t’ia bartin përgjegjësinë Vuçiqit”.

“Kështu po mundohen të dëshmojnë dhe të tregojnë se Milan Radoiçiq apo Zvonko Veselinoviq kanë qenë ata që i kanë kryer këto veprime. Ata më së shumti do të donin të ishte Mojsiloviqi, sepse kanë nevojë për një lidhje me Beogradin, duan të thonë se dikush po importon nga jashtë”, thotë Daçiq.

Ai thotë se “Beogradi po lufton për paqen, për të drejtat e serbëve dhe nuk do të lejojë përshkallëzim të mëtejshëm të gjithë kësaj”.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit