Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Joep Borrell, pas takimet të ndara që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur një konferencë për media.
Borrell i ka kërkuar Vuçiqit lirimin e tre policëve kosovarë që po mbahen në Serbi, që nga 14 qershori.
“I kam theksuar presidentit Vuçiq që tre policët e mbajtur në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte. Arrestimi ose keqtrajtimi arbitrar i padrejtë i të burgosurve është krejtësisht i papranueshëm”, ka thënë ai.
Tutje thekson se është arritur pajtim për nevojën për zgjedhje të reja.
“Sigurisht se presim nga Kosova që t’i pezullojë menjëherë këto operacione në afërsi me objektet komunale në veri dhe katër kryetarët, përkohësisht të tërhiqen nga objektet komunale ndërsa Serbia duhet të sigurojë që protestuesit do të tërhiqen nga objektet komunale, njëkohësisht me forcat policore dhe pastaj të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat, me kushtin, pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës”, u shpreh Borrell.
Po ashtu theksoi se ka kërkuar nga kryeminsitri Kurti, që pas normalizimit të situatës në terren, pa vonesa të fillohet me hartimin e statutit të Asociacionit.
“Pas kësaj, pasi që situata në terren të normalizohet, atëherë të vazhdojmë punën në dialog. Edhe para ca muajve patëm arritur një marrëveshje themelore në rrugëtimin drejt normalizimit dhe dukej se ishim në një drejtim të mirë për të avancuar në këtë që quhet normalizim i marrëdhënieve, dhe duhet t’i kthehemi impelementimit të kësaj marrëveshjeje dhe kjo përfshin edhe fillimin dhe pa vonesa, hartimin e statutit të Asociacionit”, deklaroi Borrell.
Borrell shtoi se do të jetë në kontakt të ngushtë me të dyja palët në ditët në vijim dhe se ai do të raportojë te ministrat e jashtëm të BE-së të hënën për gjendjen aktuale dhe se çfarë duhet bërë më tej.