Partia Demokratike ka thirrur sot një protestë kombëtare në atë të cilën e quan si një nisje të një vale protestash deri në arritjen e tre qëllimeve të tyre; zgjedhje të lira, qeveri teknike dhe lirimi i Sali Berishës. Ashtu siç ka deklaruar edhe më herët lideri demokrat Sali Berisha, por edhe eksponentë të tjerë të PD-së, në këtë protestë nuk do të ketë fjalime dhe kryefjala do të jetë mosbindja civile.
Në “Dita Jonë”, gazetari i A2 CNN Anesti Bajramemaj zbuloi disa nga skenarët që priten të ndodhin gjatë protestës së sotme. Sipas tij synimi i demokratëve sot është bllokimi i trafikut dhe ndoshta shkuara në Surrel në shtëpinë e kryeministrit Rama.
Pika kryesore e protestës është te kryeministria do të grumbullohen e qëndrojnë aty. Një pjesë do të shpërndahen në pikat kryesore të Tiranës; Rruga e Elbasanit, Rruga e Kavajës, Rruga Durrësit, Sheshi i Zogut të Zi, 21 dhjetori dhe pika të tjera për të bllokuar dhe paralizuar qarkullimin e trafikun në qytet. Ky është synimi i demokratëve për bllokim e paralizim të trafikut. Ka patur zëra për të shkuar në surrel te shtëpia e kryeministrit. Sipas demokratëve kryeministri është e keqja e këtij vendi. Dhe duhej shkuar që kur u vendos në arrest shtëpie Berisha. Kjo protestë është pa fjalime qytetarët do të kenë në dorë protestën”, tha ai në Dita jonë.
Kjo protestë që sipas demokratëve është nisja e një vale protestash erdhi pas dënimit me një vit burg të deputetit demokrat Ervin Salianji, i akuzuar për kallëzim të rremë.
Një ditë më parë Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në protestë dhe tha se demokratët janë të betuar për çdo sakrificë.
“Pararendësit e marshit të demokrateve dhe demokratëve, opozitareve dhe opozitarëve, qytetarëve dhe qytetareve drejt fitores. 23 orë na ndajnë nga dita e fillimit të asaj beteje në të cilën çdo demokrate dhe demokrat, çdo opozitar dhe opozitare vendos i betuar, i gatshëm për çdo sakrificë për dinjitetin e tij, për dinjitetin e shqiptarëve, për votën e lirë, për të ardhmen tonë”, tha Berisha.
Policia njoftoi një ditë më parë se ka marrë të gjitha masat për zhvillimin e kësaj proteste dhe u bëri apel pjesëmarrsve që të distancohen nga çdo akt dhune.
“Policia e Shtetit apelon për të gjithë ata që do të marrin pjesë në tubim, që të distancohen nga çdo akt që cenon sigurinë publike dhe jetën dhe çdo akt dhune ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike e private, ndaj punonjësve të Policisë, përfaqësuesve të mediave dhe qytetarëve”,njofton Policia, shkruan A2.