Sunday, November 10, 2024
spot_img
BallinaLajmeBislimi në Bruksel diskuton me përfaqësues nga Komiteti për Politikë e Siguri,...

Bislimi në Bruksel diskuton me përfaqësues nga Komiteti për Politikë e Siguri, i njofton për sulmin në Banjskë

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, ka mbajtur një diskutim me përfaqësues nga Komiteti për Politikë e Siguri (PSC), ku ishin prezent ambasadorë e përfaqësues të misioneve diplomatike të shteteve anëtare dhe nga BE-ja.

Në këtë takim, sipas Zyrës së Kryeministrit, Bislimi ka folur edhe për ngjarjen e 24 shtatorit, sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, 

“Zëvendëskryeministri Bislimi tha se më 24 shtator Serbia orkestroi akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës, ku u vra rreshteri i policisë, tashmë Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku” – njoftoi ZKM.

Tutje është thënë se Bilimi i njoftoi ambasadorët e përfaqësuesit e tjerë se faktet e përfshirjes së institucioneve të Serbisë në këtë rast janë të shumta, nga prezenca e organizimi i agresionit nga Millan Radojçiq, prezenca e truprojës së shefit të BIA-s, e deri te mjeti i gjetur e konfiskuar në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. 

Po ashtu, Bislimi përmendi edhe vërtetimin e dhënë nga ushtria serbe për pajisje me armatim të rëndë, strehimi i terroristëve në Serbi dhe glorifikimi i tyre.

“Zëvendëskryeministri Bislimi i informoi pjesëmarrësit dhe mbi procesin e dialogut e takimin e fundit të nivelit të lartë mbajtur me 14 shtator” – thuhet në njoftim.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Bislimi prezantoi perspektivën evropiane, përkushtimin e angazhimin e Kosovës në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve.

“Ai ritheksoi se Kosova mirëpret iniciativën e Komisionit të BE-së për planin e ri për zgjerim prezantuar nga Presidentja e Komisionit, Von Der Leyen, si dhe pritshmëritë e Këshillit të BE-së, përfaqësuar nga Presidenti i Këshillit, z. Michel, që zgjerimi të arrihet deri më 2030” – thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Tutje është thënë se viti i kaluar ishte vit evropian për Kosovës, pasi u arrit liberalizimi i vizave dhe u aplikua për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe për anëtarësim në BE. 

“Ndërthurur me rritjen që njohu vendi në zhvillim ekonomik, e suksesin e faktuar në rankime ndërkombëtare në fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, liria e mediave, u dëshmua vullneti dhe angazhimi i Kosovës në avancimin e agjendës evropiane” – tha ZKM.

Po ashtu u tha se Kosova dëshmoi se po performon pozitivisht në indikatorë të ndryshëm përtej barrierave e pengesave me të cilat është përballur.

Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit u krye një sulm terrorist që la të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku, një tjetër polic të plagosur e një të lënduar. Autoritetet kosovare zyrtarisht e kanë konfirmuar se janë vrarë tre pjesëtarë të grupit terrorist.

Përgjegjësinë për sulmin terrorist që ndodhi në këtë fshat e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Radoiçiq u ndalua nga organet e drejtësisë në Serbi. Prokuroria e Lartë në Beograd kërkoi nga ana e gjykatës që ndaj tij të vendoset masa e paraburgimit.

Mirëpo, diçka e tillë nuk ndodhi. Gjykata në Beograd e liroi atë nga ndalimi e ndaj tij mori disa masa, përfshirë këtu edhe ndalimin për të hyrë në Kosovë.

Nga veprimet hetimore që u kryen nga PK u gjet një arsenal i madh armatimi në zonën e Banjskës.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës e PK-së një pjesë e armëve që u sekuestruan u gjetën në Zveçan janë të prodhuara në Serbi, madje në mesin e tyre ka edhe predha të prodhuara në vitin 2023.

Një version tjetër për këto armë pati Prokuroria e Lartë në Beograd, e cila e akuzoi Radoiçiqin se nga janari i këtij vitit e deri në shtator bleu armë nga Federata e Bosnje dhe Hercegovinës.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme të Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Ramo Isak, ka thënë se do t’i hetojnë pretendimet e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd se armët e përdorura në sulmin terrorist janë blerë nga vendi i tij, përkatësisht qyteti i Tuzlës.

Isak në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se ende nuk e di “nëse pretendimet për blerjen e pretenduar të armëve në territorin e Bosnjë-Hercegovinës janë të vërteta”.

Ai ka thënë se për vërtetimin e këtyre pretendimeve është paraqitur kërkesa për hetim.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit