A e ka miratimin e organeve partiake propozimi i nënkryetarit dhe deputetit të BDI-së, Arbër Ademi, për model zgjedhor me një njësi dhe prag prej 5%? Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Blerim Bexheti, thotë JO.
Sipas Bexhetit, i cili është pjesë e “Grupit të Zjarrit”, ky propozim as nuk është diskutuar në parti dhe as nuk është bërë asnjë analizë për të njejtin. I vetmi model për të cilin kanë rënë dakord organet partiake të BDI-së, para krisjes që ndodhi brenda këtij subjekti, është modeli me 3 njësi zgjedhore, ka sqaruar Bexheti në emisionin “Rruga Drejt”, në Alsat.
“Qëndrimi në organet partiake brenda BDI-së është që modeli zgjedhor është I pranueshëm me 3 njësi zgjedhore. Unë e dëgjova këtë që e thotë Arbër Ademi dhe u befasova sepse nuk ka as analizë për përparësi apo mangësitë e cdo opsioni që mund të diskutohet dhe të pranohet. Kjo është në vazhdën e asaj që ne në kontinuitet e kemi thënë se pa qëndrimet të rëndësishme promovohen pa vendime partiake që është pakuptimtë. Ne një kohë të gjatë edhe me ish partnerët edhe me partnerët kemi pasur një qëndrim shumë parimor që jemi për 3 njësi zgjedhore dhe parimisht edhe cilat njësi zgjedhor të bashkohen. Tash kur e dëgjoj këtë më vjen pak…dhe nuk më vjen edhe shumë çudi sepse shumë qëndrime janë marrë pa vendime partiake që s’kanë kaluar as në kryesi, as në Këshill të Përgjithshëm dhe e konsideroj në vazhdën e qëndrimit të tyre duke mos e sqarua në asnjë mënyrë pse është ai qëndrim i Bashkimit Demokratik për Integrim”, ka deklaruar, Blerim Bexheti.
Ditë më parë, nënkryetari Arbër Ademi, i cili përfaqëson BDI-në në grupin e punës për reformat zgjedhore tha se partia e tij ka propozuar model zgjedhor me një njësi dhe prag prej 5%, si dhe lista të hapura.
“Ne jemi të hapur për të diskutuar për të gjitha propozimet e udhëhequra nga argumentet. Sot nuk kemi folur për këtë temë, nuk kishte debat material për propozimet. Ky grup punues nuk është formuar vetëm për këtë çështje për ndryshimin e modelit të zgjedhjeve, por edhe për çështje tjera. Pra, apriori, nëse flasim për modelin dhe nëse vendosim për një njësi zgjedhore duhet të vendoset edhe për pragun dhe listat e hapura, prag prej 5 për qind dhe përvoja të tilla kemi, por do të përmbahem për komente shtesë duke lënë hapësirë për të diskutuar në mënyrë konstruktive në suaza të grupit të punës”, u shpreh Ademi para gazetarëve.
Por, pas kundërshtimi të këtij propozimi nga ana e sekretarit të përgjithshëm, Blerim Bexheti, nuk ka pasur ndonjë reagim nga ana e nënkryetarit Arbër Ademi apo BDI-së për të sqaruar, a është miratuar në organet e partisë qëndrimi për një njësi zgjedhore. Ndërkohë, BDI-ja nuk ka njoftuar për ndonjë mbledhje të organeve partiake ku është diskutuar për këtë temë.