Vendimin e gjykatës për arrestimin e tij, Sali Berisha do ta presë në selinë e PD-së. Ndërsa trupi gjykues pritet të vendosë për izolimin e tij në shtëpi, kërkesë kjo e Prokurorisë së Posaçme, Sali Berisha ka thirrur të rinjtë e FRPD në seli për një bashkëbisedim me ta.
Kërkesa për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj Berishës erdhi pasi ky i fundit kundërshtoi si antikushtetuese masat e mëparshme të detyrimit për paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë shtetit, duke mos i zbatuar ato. Kodi i Procedurës Penale parashikon zëvendësimin e masës në raste të tilla.
Më 21 dhjetor 2023, Kuvendi zhveshi nga imuniteti Sali Berishën duke i hapur rrugë prokurorisë së posacme për arrestimin e tij. Sali Berisha akuzohet nga SPAK për “Korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të hetimeve të nisura për dosjen ‘Partizani’.
Berisha akuzohet nga SPAK se ka kryer ndryshime ligjore në përfitim të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, duke kryer për rrjedhojë veprën penale të korrupsionit aktiv të zyrtarëve të lartë, vepër penale që parashikon dënim deri në 12 vite burg. Sipas prokurorëve, vendimet e Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit në kohën kur Berisha ishte kryeministër, mundësuan që dhëndri i tij të ndërtonte biznesin e një kompanie në të cilën ishte aksioner i padeklaruar dhe përfituar minimalisht 5.4 milionë euro dividente të paguara cash.