Bashkimi Evropian kërkon nga Kosova që të sigurojë një “periudhë mjaft të gjatë tranzicioni” për zbatimin e rregullores së re të BQK-së, e cila “do të ishte e mjaftueshme për gjetjen e zgjidhjes së negociuar në kuadër të dialogut në Bruksel”.
“Periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre”, thuhet ne komunikatën e lëshuar nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Në anën tjetër nëpërmjet kësaj komunikate pranohet se institucionet evropiane kanë parasysh faktin se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave.
Thuhet gjithashtu se kjo rregullore do të ketë ndikim në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia.
“BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, thuhet ne komunikatë.