Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha po qëndron në Britani të Madhe ku në Londër takoi shqiptarë që jetojnë dhe punojnë.
Në fokus të diskutimeve ishte propozimi i PD-së për votën e emigrantëve dhe listat e hapura.
“Arsyeja pse ne shohim një ngecje të procesit, që do të çonte në materializimin e votës për shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, është se prej kohësh kjo qeveri ka vënë në punë mekanizma manipulimi të vullnetit popullor, mekanizma të cilat nuk pinë ujë kur bëhet fjalë për të influencuar votën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Dhe për këtë arsye duan ta ngushtojnë, duan të kenë dy apo tre apo katër deputetë që përfaqësojnë diasporën. Kjo është e padrejtë. Ne duam që vota e shqiptarëve të jetë e barabartë, s’ka rëndësi nëse hidhet në Vlorë, apo në Kukës, apo në Tiranë, apo në Durrës, apo në Londër, apo në Manchester, apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo në Itali, apo në Greqi, vota duhet të jetë e barabartë. Barazia e votës është një nga parimet themelore mbi të cilën ngrihet demokracia përfaqësuese bashkëkohore. Ndaj dhe një nga propozimet kryesore që janë çuar në parlament ditën e premte, ka të bëjë me barazinë e votës”, u shpreh Basha në takim.