Në Raportin e fundit për progresin e vendit, Komisioni Evropian edhe një herë theksoi se përputhshmëria e politikës monetare me rregulloret, standardet dhe praktikat evropiane është ende në nivel të avancuar, njoftojnë nga Banka Popullore, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Njëkohësisht, theksohet se përcaktimi i politikës monetare në periudhën e kaluar është i përshtatshëm, pra është plotësisht në përputhje me bazat ekonomike dhe është shtrënguar në përputhje me rritjen e inflacionit.
“Raporti tregon se inflacioni i lartë vjen si pasojë e goditjes globale të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë elektrike, e cila, nga ana tjetër, u transmetua në çmimet e tjera. Theksohet se banka qendrore u përgjigj në përputhje me rrethanat duke shtrënguar politikën monetare nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit, por edhe ndryshimeve në rezervën e detyrueshme, të cilat kontribuan në uljen graduale të inflacionit.
Vërehet edhe efektiviteti i masave të Bankës Popullore për nxitjen e kursimeve në monedhën vendase (denarizimi), të cilat kontribuan në ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit”, njoftojnë nga Banka Popullore.
Për sa i përket sistemit bankar, theksojnë nga atje, raporti konstaton se ai është rezistues, i qëndrueshëm dhe i besueshëm edhe gjatë krizave të fundit.