Saturday, November 2, 2024
spot_img
BallinaLajmeAzerbajxhani nis operacionin kundër rajonit të Nagorno-Karabakut dhe kërkon dorëzim të administratës...

Azerbajxhani nis operacionin kundër rajonit të Nagorno-Karabakut dhe kërkon dorëzim të administratës së atjeshme

Autoritetet e Azerbajxhanit thonë se masat e ndërmarra ushtarake në Nagorno-Karabakh po vazhdojnë për të dytën ditë pasi të martën nisën operacione “anti-terroriste” në këtë zonë.

Sipas po këtyre autoriteteve, këto operacione nuk do të ndalen derisa separatistët etnikë armenë të dorëzohen.

Tensionet në Kaukazin e Jugut kanë qenë të larta për muaj të tërë rreth enklavës së shkëputur të Nagorno-Karbagh, e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit.

Azerbajxhani dhe Armenia janë futur në luftë për herë të fundit tri vjet më parë.

Në një deklaratë të mërkurën në mëngjes, ministria e mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se pajisjet ushtarake që i përkisnin forcave të armatosura armene ishin “neutralizuar”, duke përfshirë automjete ushtarake, artileri dhe instalime raketash kundërajrore.

Të martën, Baku zyrtar i urdhëroi “formacionet ilegale ushtarake armene” t’i dorëzonin armët dhe ta shpërbënin “regjimin e tyre të paligjshëm”.

Azerbajxhani dhe Armenia fillimisht u futën në luftë në fillim të viteve 1990 pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Më pas, në vitin 2020, Azerbajxhani rimori zonat në dhe rreth Nagorno-Karabakh përpara se të miratohej një armëpushim dhe të monitorohej nga paqeruajtësit rusë.

Armenët etnikë në Karabakh bënë thirrje të martën për një armëpushim dhe për fillimin e bisedimeve.

Megjithatë, nga ultimatumi i Azerbajxhanit është e qartë se qëllimi i Bakut zyrtar është ta përfundojë pushtimin e enklavës malore.

Kryeministri armen Nikol Pashinyan e akuzoi Azerbajxhanin për fillimin e një operacioni tokësor që ka si objektiv “spastrimin etnik”.

Mirëpo, qindra protestues armenë, të zhgënjyer nga përgjigja e vendit të tyre, u përleshën me policinë jashtë parlamentit në Jerevan, duke e dënuar liderin e tyre si tradhtar dhe duke i bërë thirrje të jepte dorëheqjen.

Azerbajxhani zyrtar thotë se bisedimet mund të fillojnë në qytetin Yevlakh, rreth 100 km në veri të kryeqytetit rajonal të Karabakut, Khankendi, i quajtur Stepanakert nga armenët etnikë.

Që nga fundi i vitit 2020, 3,000 trupa rusë e kanë monitoruar armëpushimin e brishtë, mirëpo vëmendja e Moskës është devijuar që nga pushtimi i saj në shkallë të plotë të Ukrainës.

Rreth 120,000 armenë etnikë jetojnë në enklavën malore. Rusia thotë se ushtarët e saj i kanë zhvendosur pothuajse 500 civilë nga zonat më të rrezikuara, ndërsa separatistët thanë se kishin ndihmuar në këtë zhvendosje e gjithsej 7,000.

Për nëntë muajt e fundit, Azerbajxhani ka vendosur një bllokadë efektive në të vetmen rrugë për në enklavë nga Armenia, e njohur si Korridori Lachin.

Azerbajxhani thotë se ka nisur operacionin e tij në përgjigje të vdekjes së gjashtë personave, përfshirë katër zyrtarë policie, në dy shpërthime me mina tokësore të martën në mëngjes.

Zyrtarët e Karabakut thanë se si pasojë e operacioneve të Azerbejxhanit, pesë persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, duke përfshirë gra dhe fëmijë.

Zyrtarët e mbrojtjes në rajonin e shkëputur thanë se ushtria e Azerbajxhanit e kishte “shkelur armëpushimin përgjatë gjithë linjës së kontaktit me sulmet me raketa-artileri”.

Përfaqësues të tjerë të Karabakut folën për një “ofensivë ushtarake në shkallë të gjerë”, megjithëse raportet e mëvonshme thanë se intensiteti i zjarrit ishte ulur.

Ministria e mbrojtjes e Azerbajxhanit këmbënguli se nuk i ka në shënjestër civilët apo ndërtesat civile dhe se “vetëm objektivat legjitime ushtarake po paaftësohen nga përdorimi i armëve me precizion të lartë”.

Ajo i akuzoi forcat armene për “granatim sistematik” të pozicioneve të saj të ushtrisë dhe tha se është përgjigjur duke nisur “veprimtari lokale, anti-terroriste… për të çarmatosur dhe siguruar tërheqjen e formacioneve të forcave të armatosura të Armenisë nga territoret tona”.

Në një fjalim të shkurtër televiziv, kryeministri i Armenisë i hodhi poshtë pretendimet se ushtria e tij ishte e përfshirë.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha se ishte paralajmëruar për ofensivën e Azerbajxhanit vetëm disa minuta përpara dhe u kërkoi të dy vendeve ta respektonin një armëpushim të nënshkruar pas luftës në vitin 2020. Përfaqësuesi special rajonal i BE-së, Toivo Klaar, tha se ka një “nevojë urgjente për një armëpushim”.

Ministria e Jashtme e Rusisë, e po ashtu edhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, i bënë thirrje zotit Aliyev që t’i ndërpresë menjëherë veprimet ushtarake në zonë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për përfundimin e menjëhershëm të luftimeve të mërkurën në mëngjes dhe për “respektim më të rreptë të armëpushimit të vitit 2020 dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare”.

Komentatori i Kaukazit Jugor Laurence Broers tha të martën se popullsia armene në Karabakh është dobësuar nga bllokada dhe operacioni i Azerbajxhanit ishte nisur “me sa duket për ta rimarrë Karabakun e populluar nga armenët në tërësi”.

Nikol Pashinyan ka thënë së fundmi se Rusia “po largohet spontanisht nga rajoni”. Azerbajxhani ndërkohë ka pasur mbështetje të fortë nga aleati i tij Turqia.

Hikmet Hajiyev, këshilltar special i presidentit të Azerbajxhanit Aliyev, i bëri thirrje administratës separatiste etnike-armene që të “shpërbëhet”.

“Azerbajxhani ka thënë gjithmonë se ne jemi të gatshëm të ofrojmë të drejta dhe siguri për armenët e Karabakut sipas kushtetutës,” i tha ai BBC Neës.

Azerbajxhani e ka mohuar rritjen e numrit të trupave në rajon. Të hënën, ajo lejoi ndihmën nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në Karabakh në dy rrugë, njëra nëpërmjet Korridorit Lachin nga Armenia dhe tjetra në rrugën Aghdam të Azerbajxhanit.

Para fillimit të ofensivës së së martës, kishte shpresa se tensionet mund të zvogëloheshin.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit publikoi pamje të një automjeti për të cilin thotë se ishte shkatërruar nga një minë tokësore, mirëpo zyrtarët armenë etnikë thanë se ishte ushtria e Azerbajxhanit që e kishte shkelur armëpushimin./BBC

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit