Jo më larg se para katër vitesh, Tetova ishte e mbuluar nga mbeturinat dhe e përmbytur nga aroma qelbet e papastërtisë. Qentë endacak të ndiqnin në çdo hap, rrugët e qytetit ishin më të këqija se shtigjet malore, ndërsa pushteti i atëhershëm lokal kishte keqpërdorur detyrën në çdo pore të jetës së qytetit. Sot, këto probleme i përkasin të kaluarës. Por, për çudi, ende ka militantë e gazetarë të caktuar që, me mish e me shpirt, përpiqen të ngjallin akuza të pabaza ndaj Bilall Kasamit. “E shiti Tetovën”, “E solli Presidenten e shtetit në qytet”, e plot shpifje të tjera të njëjta, që në thelb janë asgjë më shumë se ulërima të dëshpërimit nga ata që e dinë se do të humbin sërish. Jo pse do të humbin vetëm qytetin, por sepse e kanë humbur përgjithmonë luksin dhe benefitet që i kishin në dëm të qytetarëve para katër viteve. Sot janë të kapluar nga hutia dhe frika, sepse e dinë fare mirë që Bilall Kasami do të fitojë bindshëm. Jo sepse është kryetar i Lëvizjes Besa, jo sepse është pjesë e koalicionit VLEN, por sepse ka punuar me shpirt e përkushtim për Tetovën. Dhe Tetovarët këtë e dinë shumë mirë. Ata nuk e kanë harruar si dukej Tetova e braktisur e plot trishtim para katër viteve. Ata e shohin dallimin, çdo ditë!








