Parti të reja me mendësi të vjetër, me narrativ nacionalist liderët e dy partive politike maqedonase tentojnë të garojnë në zgjedhjet që do të mbahen këtë vit. Dimitar Apasiev nga e Majta dhe Maksim Dimitrievski nga Lëvizja Znam janë dy politikanët maqedonas që me çdo kusht po dëshirojnë të plotësojnë vakumin e gruevizmit në Maqedoninë e Veriut. Mbase, po tentojnë të kapin trupin votues të Gruevsit, maqedonasit të cilët nuk e duan asnjë etnikum tjetër në këtë vend. Dimitrievski gjatë një debati televiziv përmendi se nuk do të lejojë që maqedonasit të ndihen qytetarë të dorës së dytë, ndërkaq Apasievi tashmë i strukturuar edhe në Kuvend gjatë gjithë kohës ka shprehur “albanofobinë” e tij. Në emër të mbrojtjes së maqedonasve ata më shumë po i dëmtojnë, shkruan Zhurnal.
Dimitrievski: Nuk do të lejojmë që maqedonasit të ndihen si qytetarë të dorës së dytë në vendin e tyre –
“Lëvizja e Di – për Maqedoninë tonë” është aktualisht subjekti i sapoformuar politik e udhëhequr nga Maksim Dimitirevski, kryetar i komunës së Kumanovës. Ai në emisionin debatues “Biseda të vështira” në Infomax ka theksuar se nuk do të lejoj që maqedonasit të ndihen si qytetarë të dorës së dytë në vendin e tyre.
“Qytetarët i njohin politikat tona. Ne nuk po luftojmë për pushtet. Ne do të luftojmë për përgjegjësi. Premtoj këtu në studion tuaj dhe publikisht se pas zgjedhjeve, në një ditë të bukur të nëntë majit, gjërat në Maqedoni nuk do të jenë njësoj, nga çdo aspekt. Së pari, ne kurrë nuk do të lejojmë që maqedonasit të frustrohet dhe të ndihet si qytetar i dorës së dytë në vendin e tij. Kurrë më nuk do të lejojmë që qytetarët e Maqedonisë të manipulohen ashtu siç janë manipuluar më parë. Do të rrisim transparencën në të gjitha segmentet e shtetit dhe do të punojmë në reforma konkrete”, shtoi Dimitrievski.
Ai tha se pret që Lëvizja ZNAM të jetë krijuesi i koalicionit të ardhshëm qeveritar. I pyetur nëse qëndron pas konceptit – një shoqëri për të gjithë, Dimitrievski tha se një shoqëri për të gjithë nënkupton të drejta dhe detyrime të barabarta për të gjithë, por fatkeqësisht shoqëria për të gjithë është shndërruar në shoqëri për individët.
Apasiev antishqiptarizmin e tij e mbulon me politika anti BDI –
Kryetari i partisë politike maqedonase e Majta, Dimitar Apasiev, gjatë kohë në politikë por në skenë prej kur u bë deputet, partia e tij përfaqësohet në Kuvend nga vet ai dhe një deputet tjetër. Por, politikat e tyre janë vullgare dhe politikbërje normale, me gjeste amatoreske e të kopjuara duke thyer monitor e firmosje me këpucë tentojnë të vjedhin vëmendjen e qytetarëve dhe të krijojnë trup votues të sigurt.
Por, narrativi i tij anti-shqiptarë është i njohur prej kur ai vepron. Vetëm këtë gjë e bënë në mënyrë taktike duke shprehur urrejtje ndaj partisë shqiptare në pushtet BDI-së. Madje, shpesh herë ka akuzuar LSDM-në se është partner i vogël i BDI-së dhe se BDI po qeverisë me vendin.
Nëse kthehemi në kohën kur u krijuan kushtet për rrëzimin e qeverisë kujtojmë që Apasievi në një status në Facebook shkruante: “Nëse ASH-AAA, Besa nuk e shfrytëzojnë shansin historik të enjten që ta qojnë BDI-në në opozitë, atëherë në zgjedhjet e radhës do të shkelen nga BDI-ja si shleperi kur shkel bretkosën dhe nuk do të mund të këndellen, dhe BDI-ja nga pozita e pushtetit do të merr 18 deputet kurse të tjerët 9. Andaj mendet në kry dhe emocionet largoni dhe shihemi në seancë të enjten, politika është lojë e shahut”, pati shkruar Apasiev.
Por, ky tentim për rrëzim të qeverisë dështoi pasi një deputet i Lëvizjes Besa dezertoi e tradhtoi partinë dhe u “kidnapua” ditën që duhej të votonte. Qeveria e njëjtë vazhdoi ndërkaq, sikurse Dimitrievski nga pushteti lokal ngjashëm edhe Apasievi nga pushteti qendror me çdo kusht proklamonin politika atdhedashurie e anti-shqiptarie.
Gjatë protestave në Çashkë kundër mësimit në gjuhën shqipe deputeti i të Majtës ishte prezentë në rresht të parë, pra anti-shqiptarinë nga kjo parti e shprehin hapur publikisht pa hezitim, vetëm kërkojnë rastin dhe mundësinë.
Skena politike në Maqedoninë e Veriut ka çaluar në tërësi, sikurse në kampin politik maqedonas ngjashëm edhe në atë shqiptarë. Më shumë flitet për ndarjet e përçarjet në kampin politik shqiptarë sesa në atë maqedonas, kujtojmë që problemet e njëjta ekzistojnë në dyja kampet. Në vigjilje të hapjes së numrit të madh të partive politike shqiptare që burojnë nga pakënaqësitë e ndryshme brendapartiake, së fundmi është kurorëzuar edhe partia më e re politike në vend, e cila do të udhëhiqet nga Maksim Dimitrievski, kryetari aktual i Komunës së Kumanovës. Por, kush është Maksim Dimitirevski dhe a duhet të përkrahet nga shqiptarët?
Kjo pyetje shtrohet për faktin se kemi të bëjmë me një kryetar komune që sot është në atë pozicion falë numrit të madh votuesish shqiptarë për të. Fenomeni i përkrahjes së partive maqedonase nga shqiptarët zanafillën e ka te ideja tashmë e vdekur e një “shoqërie për të gjithë” të proklamuar dikur nga Zoran Zaev. Atëkohë mbi 40 mijë vota shqiptare shkuan për parti maqedonase. Por, tani Dimitrievski ka bërë hapin konkret drejt formimit të partisë politike me të cilën pritet të garojë në zgjedhjet e ardhshme. Megjithatë, çfarë bërë Dimitrievski për shqiptarët e Kumanovës, si ua ktheu besimin e dhënë me votë? A është Dimitrievski në garë me Apasievin se cili “urren” më shumë shqiptarët?
Që në realitet politikbërja nëse bazohet në urrejtje ndaj një etniteti tjetër që është shtetformues në këtë vend është tërësisht e dëmshme. Pra, në emër të mbrojtjes së maqedonasve ata më shumë po i dëmtojnë sesa po i ndihmojnë.