Aleanca e Grave Parlamentare në Shqipëri përmes një deklaratë për mediat ka dënuar sjelljen e deputetëve demokratë Gazment Bardhi dhe Flamur Noka ndaj deputetes Flutura Açka një ditë më parë në Komisionin e Medias në Kuvend.
Dhuna ndaj grave është të mos kuptosh më vetitë më të rëndësishme njerëzore dhe të futesh në një tunel errësire, shprehen gratë e Parlamentit.
“Ne gratë deputete, shprehim indinjatë të thellë për atë që ndodhi dje si dhe për gjithë klimën e linçimit dhe përbaltjes së grave dhe kërkojmë vënien para përgjegjësive të autorëve të kësaj dhune. Ne besojmë te politika e arsyes, e mendjes dhe e argumenteve të qarta dhe refuzojmë errësirën e së paarsyeshmes, dhunën që vjen si pasojë e mungesës së argumenteve”, thuhet në njoftim.
“Ne dënojmë aktet e dhunshme dhe shpresojmë që jo vetëm të mos përsëriten më, por Kuvendi të kthehet në shinat e normalitetit dhe të gjithë deputetët të bëjnë detyrën për të cilën qytetarët i kanë votuar. Ne i sigurojmë qytetarët shqiptarë e në veçanti gratë shqiptare se do vijojmë të jemi zëri i tyre në Parlamentin e Shqipërisë dhe do të refuzojmë e përballemi me çdo akt dhune dhe që frymëzon dhunë ndaj grave”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat.