Aldona Doku, shqiptarja, tash e sa vjet është pjesë e kompanisë së njohur për modë dhe një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Donatella Versace, transmeton albinfo.ch.
Ajo është rritur ne Athinë, por më pas është kthyer në Tiranë, për të vazhduar shkollimin dhe studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë të nivelit Bachelor dhe Master. Fillimet e saj të karrierës i pati te Deloitte Albania & Kosovo në Tiranë, si audituese e pasqyrave financiare për kompani italiane. Kjo periudhë ishte shumë impenjative për Aldonën, derisa në vitin 2018 transferohet përfundimisht për të vijuar rrugëtimin e saj profesional në kompaninë konkurrente, PwC Italy (PriceWaterHouseCoopers) në Milano.
Fillimisht Aldona u angazhua me auditimin ligjor të disa prej kompanive më të mëdha në Itali, si p.sh. Luxottica, ndër kompanitë më të mëdha në rang botëror për dizajnim, prodhim dhe tregtimin e syzeve, Pirelli, lider në industrinë e prodhimit të gomave, Cameron e Shlumberger Italy që janë ndër kompanitë numër 1 në prodhimin e valvulave në industrinë e oil dhe gas. Pas gati tre vjetësh eksperiencë profesionale në auditim në Milano, Aldona Doku mori ofertën për të punuar në kompaninë prestigjoze Gianni Versace Srl. Një nga “shtëpitë” e modës më të rëndësishme në industrinë e fashion me një faturim ( të ardhurave vjetore) rreth 1 miliard dhe fitim neto mbi 51 milionë në vit.