Në prag të ditës së alfabetit 22 nëntor, Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka vizituar Manastirin ku është pritur nga delegacioni i qeverisë dhe zyrtarë të lartë të jetës politike dhe publike shqiptare të Maqedonisë së Veriut.
Shënimi i përvjetorit të Kongresit të Alfabetit në Manastir, bëri bashkë politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Në këtë event mund të shihen lideri I BDI-së, Ali Ahmeti dhe ai i ASH-së, Arben Taravari, por edhe liderët e opozitës shqiptare Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi, të shoqëruar nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
“Ta ruash gjuhën amtare nuk është thjeshtë një thirrje për ruajtjen e një trashëgimie kulturore por thirje për të ruajtur identitetin, ka shkruar në Facebook, Presidenti Begaj me rastin e vizitës në Manastir në kremtimin e 115 vjetorit të Kongresit të Alfabetit.
“Në 115 vjetorin e alfabetit shqip, në Manastirin e shenjtë të shqipes që bëri bashkë gegë e toskë, myslimanë e të krishterë për abc-në që kemi sot. Ta ruash dhe të lëvrosh gjuhën amtare nuk është thjeshtë një thirrje për ruajtjen e një trashëgemie kulturore. Ajo është thirrje për të ruajtur identitetin kombëtar” – tha Bajram Begaj.
Imer Selmani, konsull nderi I Republikës së Shqipërisë në konsullatën në Manastir, me rastin e manifestimit, për mediat maqedonase, ka deklaruar se tani, pas 115 viteve, misioni i gjeneratës sonë është të sjellim Europën më afër, jo vetëm në mënyrë simbolike por dhe në atë thelbësore.
”Sot, me idenë e madhe të rilindasve të para 115 viteve, jo vetëm shqiptarët por të gjithë popujt e Ballkanit, punojmë fortë që Evropën, jo vetëm në mënyrë formale por metëvërtetë ta sjellim këtu. Mendoj se misioni I gjeneratës sonë është të bëhemi evropianë dhe ti implementojme vlerat dhe standardet evropiane në vendin tonë. Sot presidenti i Shqipërisë përvec vizitës së Muzeut të Kongresit të Alfabetit do të vizitojë edhe qytetarë të Manastirit, vizitë në Konsullatën e Republikës së Shqipërisë, shetitje nëpër Shirok Sokak dhe në fund dreka e përbashkët në nder të Presidentit shqiptar Begaj ” – tha Imer Selmani, konsul nderi.
Presidenti Begaj u takua edhe me qytetarë të Manastirit si dhe vizitoi Muzeun e Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe dhe Konsullatën e nderit të Republikës së Shqipërisë, Manastir. Vizita filloi me konferencën shkencore ku morrën pjesë politikanë shqiptarë nga pozita dhe opozita, të gjithë të unifikuar në emër të ditës së alfabetit.