Më 5 maj të këtij viti AMC organizoi ngjarjen filantropike “Shpëto Jetë” në Cyrih, e cila, si çdo vit, kishte për qëllim ngritjen e fondeve për përmirësimin e jetës së nënave dhe fëmijëve në Kosovë, duke i pajisur spitalet me medikamente dhe pajisje mjekësore, përcjell albinfo.ch.
Në këtë ngjarje, AMC mblodhi komunitetin shqiptar dhe të huaj dhe po ashtu biznese të ndryshme të shqiptarëve, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Zvicër. Përgjatë kësaj mbrëmje të ftuarit kishin mundësi të dëgjonin fjalime dhe muzikë të kënduar live nga grupi kosovar “String String”, të rrjetëzoheshin me njëri-tjetrin, dhe të ishin pjesë e një ngjarje filantropike e të mbështesin një kauzë të rëndësishme.
Drejtori ekzekutiv i AMC-së, Vlorian Molliqaj, falënderoi të pranishmit për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe foli për rolin e mërgatës në ndryshime rrënjësore përmes filantropisë, duke u fokusuar në sistemin shëndetësor në vend. “Të gjitha arritjet e AMC-së përgjatë një dekade nuk do të ishin të mundura pa mbështetjen e diasporës, dhe pikërisht këto arritje na motivojnë që ta rrisim edhe më shumë intensitetin e punës sonë, në mënyrë që secilit fëmijë e nëne në Kosovë, pavarësisht rrethanave, t’iu ofrojmë qasje në shërbime cilësore shëndetësore”, u shpreh z. Molliqaj në fjalimin e tij.
Në këtë mbrëmje ishte prezent edhe një prej themeluesve të AMC-së, Philip Sigwart, ku gjatë fjalimit të tij tregoi më tepër për fillimet, sfidat dhe sukseset e AMC-së.
Edicioni i pestë i ngjarjes filantropike “Shpëto Jetë” i mbajtur në Cyrih nuk do të ishte i mundur pa sponzorët, të cilët na mbështetën. AMC dëshiron të falënderojë: Multinet – Sponzor i Artë, Mahagoni Kuechen – Sponzor i Bronztë, Laborgemeinschaft 1 – Sponzor i Bronztë, Bau Investment Schweiz AG – Sponzor i Bronztë, Arztpraxis – Sponzor i Bronztë, Aubrey Restaurant – Sponzor i Bronztë, EuroKoha – Sponzor i Argjendtë, plartformën shqiptare në Zvicër Albinfo.ch, të cilët na mbështetën si Sponzor Medial, si dhe të gjithë mbështetësit e tjerë përgjatë mbrëmjes.
Qëllimi i AMC-së është përmirësimi i kushteve shëndetësore të nënave dhe fëmijëve në Republikën e Kosovës. Për të arritur këtë objektiv, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë implementon dhe zbaton projekte dhe programe të ndryshme që sjellin përmirësime të rëndësishme dhe të qëndrueshme në sistemin e kujdesit shëndetësor dhe ofron zgjidhje të qëndrueshme.