Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili mohon të shtyhet apo të anulohet rregullorja që parasheh ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë nga 1 shkurti i këtij viti. Ai theksoi se duhet të zbatohen të gjitha rregullat që vendosen nga BQK. I pyetur nëse do të shtyhet ky vendim, ai ka thënë se mund të ketë një tranzicion, derisa shtoi se qytetarët serb janë të mirëseardhur t’i bashkëngjiten sistemit financiar të Kosovës. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nga ana tjetër tha se ajo pret që për dy ditë të ketë një dakordim për zbatimin e vendimit, që është paraparë të hyjë në fuqi nesër. Sipas Osmanit, BQK-ja me vendimin për operacionet me para të gatshme ka respektuar parimin e pavarësisë.
“Qysh me shty, çka me shty, a i bien që me shty që të thuhet që prej nesërmit mund të hyjë një automjet pa rregull, i palicensuar, kush mund ta marrë këtë përgjegjësi, a është dikush prej BQK-së që mund ta presë këtë. Kjo mund ta ketë një kohë tranzicionin , ne nuk po merremi individualisht me qytetarët serb. Ata janë të mirëseardhur e mirëpritur t’i bashkëngjitën sistemit financiar të Kosovës…Pozita e BQK-së nuk është politike. Ne vendosim rregulla dhe ato duhet zbatuar….”, deklaroi Ahmet Ismail, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës.
“Sa i përket zbatimit në praktikë të këtyre parimeve, janë duke u diskutuar një sërë opsionesh të cilat në njërën anë do ta respektonin nenin 11 të Kushtetutës. Por, në anën tjetër do të lënë një kohë për informimin e qytetarëve dhe bartjen e tyre, të themi në llogari të reja e të tjera, në mënyrë që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate”, deklaroi Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.