Plehrat vazhdojnë të grumbullohen në deponinë e Strugës, ndërsa pushteti lokal ende pa masa konkrete. Qytetarët shprehen të zhgënjyer dhe thonë se nuk u besojnë më fjalëve boshe të politikanëve.
“Kështu duket sot deponia e egër e Strugës. Një mal me mbeturina të llojllojshme të mbuluar me mbeturina. Dislokimi i deponisë ishte një nga premtimet kryesore të kryetarit aktual të Strugës, Ramiz Merkos në mandatin e tij të tretë. Por ajo vazhdon t’i helmojë struganët”, raporton Miki Trajkovski-gazetar.
Pikërisht pranë deponisë ndodhet toka bujqësore pjellore, e cila është e kultivuar, dhe frutat e së cilës përfundojnë në tregje. Qytetarët nuk besojnë se do të ketë zgjidhje për një periudhë më të shpejtë.
“Ky është vend turistik, është turp, tani nuk po digjet siç digjej. Jo vetëm nga komuna, por masa duhet të merren edhe në nivel shtetëror”, u shpreh një banor.
Procesi gjyqësor për deponinë po zvarritet prej më shumë se tre vite. Procedura një vit ka ngecur në Gjykatën e Apelit në Manastir, pasi është kthyer për herë të dytë nga Gjykata Themelore në Strugë, e cila ka vendosur se nuk është kompetente për të vendosur për këtë çështje.
“Nuk jemi të kënaqur me veprimet e gjykatave. Mendojmë se e gjithë procedura po zhvillohet shumë ngadalë. Po bëhen përllogaritje dhe nuk e di cilat janë arsyet. Jemi në pritje të vendimit të Apelit -Manastir. Presim vendim të bazuar ligjërisht, çfarëdo qoftë ai. Refuzimi i mundshëm i ankesës sonë do të nënkuptonte se gjykatat në Maqedoni nuk kanë kompetencë të vendosin për këtë çështje, e cila përveç shkeljeve të tjera të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, do të cenonte edhe të drejtën e qasjes në gjykatë”, deklaroi Gligorie Kjatoski-avokat.
Paditësit janë të gatshëm të iniciojnë procedurë gjyqësore në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Shoqata e Juristëve të Rinj të Maqedonisë ka paditur Komunën e Strugës, Ndërmarrjen Komunale në Strugë dhe Ministrinë e Mjedisit se nuk kanë ndërmarrë asgjë për zgjidhjen e këtij problemi. Ata kërkojnë nga gjykata që të ndalohet hedhja e mëtejshme e mbeturinave, si dhe hapësira të pastrohet dhe rivitalizohet.