Zyrtari administrativ në Agjencinë për Regjistrim Civil, Drilon Berbati, është arrestuar para dy ditësh në pikën e kalimit kufitar në në Batrovc të Serbisë, pasi i njëjti u kap me një sasi të madhe të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë, raporton Gazeta Sinjali.
Punonjësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, iu nënshtrua një kontrolli të detajuar nga Policia kufitare në Serbi, ku më pas iu gjetën të fshehura në bagazhin e veturës 32 doza me marihuanë.
Sipas MUP-it serb, të cilët edhe kanë publikuar pamje nga momenti i kontrollit të veturës dhe drogës së sekuestruar, pesha e marihuanës që u gjet është rreth 18 kilogramë.
Me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Mitrovicën e Sremit, Berbatit i është caktuar fillimisht masa e ndalimit për 48 orë dhe brenda afatit ligjor, pritet që të merren edhe masa tjera ligjore ndaj tij.