Lulzim Fejzullahu u godit me shkop bejsbolli për vdekje ditën e 14 janarit në rrugën “Drenica” në Podujevë.
Ai ndërroi jetë gjashtë ditë më vonë në QKUK.
Megjithatë, trajtimi i rastit të tij, sidomos pas cilësimit si “Therje me thikë” nga organet e sigurisë, ka nxitur mëdyshje lidhur me rastin.
Indeksonline ka intervistuar shefin e Klinikës së Mjekimit Intensiv Qendror në QKUK, Shaqir Uka, i cili ka thënë se nuk ka pasur shenja të therjes me thikë në trupin e Lulzimit.
“Djali ka pasë lëndime shumë të rënda të indit trunor, lëndime të cilat më vonë, fatkeqësisht, kanë qenë fatale për jetën e tij. Nuk ka arritë t’u mbijetojë atyre lëndimeve që ka pësuar indi trunor i tij. Ka pasur thyerje të mëdha të kafkës dhe gjakderdhje të brendshme të indit trunor” ka thënë mes të tjerash Uka.
“Është bërë bujë e madhe rreth kësaj çështje. Mund të them se edhe në dokumentacionin gjegjës ku përshkruhen të gjitha detajet për secilin pacient kur vjen, në ekzaminimet tona ne nuk kemi gjetur asnjë plagë shpuese apo therëse në këtë pacient” shtoi Uka.