Midis viteve 2017-2020, kryeministri shqiptar, Edi Rama, këshilltarët e tij dhe ish-ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri shpenzuan rreth 6 mijë dollarë në hotelin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump në Uashington.
Detajet specifike të shpenzimeve janë pjesë e një raporti prej 156 faqesh të titulluar: “Shtëpia e Bardhë në shitje”, i përgatitur nga anëtarët të demokratëve të Komisionit të Mbikëqyrjes dhe Llogaridhënies në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA. Raporti i cilëson pagesa të tilla si përpjekje për të ndikuar mbi ish-presidentin e SHBA-ve.
Duke përdorur dokumente të siguruara nëpërmjet një beteje ligjore nga kompania ‘Mazars’, raporti detajon shpenzimet e zyrtarëve të huaj në favor të bizneseve të presidentit Trump, të cilat në total kapin një vlerë prej 8.7 milionë USD.
“Duke i ngritur interesat e tij personale financiare dhe prioritetet politike të fuqive të huaja të korruptuara mbi interesin publik amerikan, ish-Presidenti Trump ka shkelur, si urdhëresat e qarta të Kushtetutës ashtu edhe precedentin e kujdesshëm të vendosur dhe të respektuar nga çdo president i mëparshëm në krye,” shkroi në një hyrje të raportit përfaqësuesi Jamie Raskin i Maryland, demokrati kryesor në Komitetin e Mbikëqyrjes.
Sipas raportit, në janar dhe mars të vitit 2018, këshilltarët e Ramës, shpenzuan secili mbi 1,000 USD. Vetë Rama shpenzoi 1,158 USD gjatë një vizite në mars 2018. Gjithashtu, Damian Gjiknuri, atëherë ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, shpenzoi për një qëndrim prej 1,025 USD në qershor 2018.
Shpenzimet përkojnë me një periudhë të trazuar në politikën shqiptare që erdhi pas zgjedhjes në detyrë të presidentit Trump.
Në atë kohë, Partia Demokratike e Shqipërisë në opozitë, e udhëhequr nga Lulzim Basha ndërmori një fushatë që përkonte me retorikën e Trump [Bëjeni Shqipërinë të madhe sërish] dhe i akuzoi socialistët me në krye Edi Ramën për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Zgjedhjet e vitit 2017 në Shqipëri u karakterizuan nga bojkotet, protestat dhe akuzat për manipulim të votave.
Sipas raportit, përplasja politike lokale në Tiranë u transferua në një përpjekje përtej oqeanit nga PD dhe PS për të influencuar administratën Trump nëpërmjet lobimit, thuhet më tej në raport.