Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, në një intervistë për gazetën LAJM, ka konfirmuar takimin e krerëve të opozitës shqiptare dhe drejtuesit të ASH-së Arben Taravari, tek kryeministri kosovar Albin Kurti, që u realizuar javën e kaluar në Prishtinë. Kasami për gazetën LAJM, tha se pas këtij takimi, gjasat janë reale që ASH-ja të vendos të bashkëpunojë me opozitën shqiptare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Megjithatë, Kasami thotë se vendimin përfundimtar, Aleanca për Shqiptarët do ta merr në Kuvendin partiak që duhet të mbahet së shpejti.
“Ka qenë një ndër takimet e shumta që i kemi edhe si opozitë këtu, por edhe bashkë me Vetëvendosjen. E din opinion që jemi në një projekt të përbashkët që ka të bëjë me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku përfundimisht janë bashkuar të gjitha forcat kombëtare, evropiane për ta bërë rotacionin politik. Në këtë drejtim ishte edhe takimi tek kryeministri i Kosovës për të bashkëbiseduar se si të vijë ndryshimi edhe tek shqiptarët e Maqedonisë, ashtu siç erdhi në Kosovë”, tha Kasami.
LAJM: A ishte i pranishëm në takim z. Taravari?
Kasami: Po, ishte takim gjysëm publik sepse ne kemi qenë bashkë edhe në Prishtinë edhe në takim dhe flasim hapur edhe për mundësinë që edhe Aleanca për Shqiptarët, por edhe subjekte tjera, individ e shoqata që t’i bashkohen Lidhjes Evropiane për Ndryshim.
LAJM: Kurti, ju takoi veç e veç?
Kasami: Jo kemi qenë në takim të përbashkët.
LAJM: Çfarë ishte sugjerimi i Kurtit?
Kasami: Jo sugjerimi. Ne e dijmë që Lëvizja Vetëvendosje hapur përkrahë koalicionin dhe ata përmes përfaqësuesit të tyre Bekim Qoku do të jenë edhe pjesë e listave të Lidhjes Evropiane për Ndryshim me çka në mënyrë aktive do të ndihmojnë dhe do të jenë pjesë e ndryshimit tek shqiptarët e Maqedonisë.
LAJM: Pas takimit te Kurti, shanset për bashkëpunim me ASH-në, u rritën apo u zvogëluan?
Kasami: Unë besoj që shanset janë reale sepse e dinë edhe vetë lidershipi i Alencës se votuesit e ASH-së janë votues opozitar dhe ky votues nuk mund të bashkojë votën me BDI-në. Prandaj besojmë që edhe organet e ASH-së që këto ditë duhet të mblidhen do të vendosin që të jenë aty ku janë votuesit e tyre.