Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë top temë çdoherë para zgjedhjeve ka pasur tentime të shumta por të gjitha kanë dështuar, se fundmi Ministria e Drejtësisë njofton se është formuar grupi punues për reforma në legjislacionin zgjedhor, i cili do të duhet t’i zbatojë rekomandimet e OSBE/ODIHR, ndërsa paralelisht do të punojë edhe në Kodin e ri Zgjedhor, që duhet të miratohet pak muaj para zgjedhjeve të rregullta të cilat do të mbahen në vitin që vjen. Por, mesa duket ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë mbetur nën hijen e harresës, sepse ka vite që diskutohet por asesi të implementohen. Me propozim ligjin për ndryshim të Kodit Zgjedhor, propozohet që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore, të mbetet model proporcional dhe pa prag zgjedhor. Llogaritja për zgjedhje të deputetëve të realizohet sipas sistemit të Dontit. Aktualisht, në Maqedoninë e Veriut ka 120 deputetë zgjidhen sipas modelit të pastër proporcional në 6 njësi zgjedhore, i cili zbatohet nga viti 2002 deri në zgjedhjet e fundit të mbajtura në vitin 2020. Të gjitha tentimet për ndryshimin e këtij modeli kanë dështuar. Por, në realitet cili sistem i Kodit zgjedhor do të ishte më i mirë për Maqedoninë e Veriut? Mbetet të shihet nëse në këto zgjedhje do të ketë risi me ndryshime në kodin zgjedhor, shkruan Zhurnal.
Formohet grup pune për ndryshime në kodin zgjedhor –
Përderisa procesi për ndryshimet kushtetuese has në vështirësi, Ministria e Drejtësisë njofton se është formuar grupi punues për reforma në legjislacionin zgjedhor, i cili do të duhet t’i zbatojë rekomandimet e OSBE/ODIHR, ndërsa paralelisht do të punojë edhe në Kodin e ri Zgjedhor.
“Ky proces është gjithëpërfshirës dhe në të janë të përfshirë përfaqësues të partive politike, organizatave joqeveritare, sindikatave, ministrive dhe organeve kompetente për zbatimin e procesit zgjedhor” deklaruan nga Ministria e Drejtësisë. Ndërkaq, si kryesues i grupit punues është emëruar, Aleksandar Novakovski, në cilësinë e ekspertit dhe si ish-kryetar i KSHZ-së.
Mes tjerash nga Ministria e Drejtësisë thanë që grupi punues është formuar për reforma në legjislacionin zgjedhor, i cili do të duhet t’i zbatojë rekomandimet e OSBE/ODIHR, ndërsa paralelisht do të punojë edhe në Kodin e ri Zgjedhor. Edhe përkundër faktit që Komisioni Evropian në raportin e fundit të progresit për Maqedoninë e Veriut ka adresuar vërejtje se vendi nuk ka implementuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR. Nga kjo organizatë thonë se rekomandimet e tyre që përsëriten në çdo raport janë ata të cilat nuk pranohen.
Modeli më i mirë i Kodit Zgjedhor për Maqedoninë e Veriut është ai me më shumë njësi zgjedhore dhe me lista të hapura –
Ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Zgjedhor që parashikojnë vendosjen e një njësie zgjedhore, të paraqitura nga deputetët e partive më të vogla parlamentare, janë çështje që diskutohen ndër vite por që çdoherë përfundojnë nën hijen e harresës, pra edhe pse të gjitha partitë shprehen se janë për këto ndryshime, asnjëra nga partitë e mëdha nuk merr mundin që procedurat për këtë temë të përshpejtohen dhe të marrin një epilog.
Në ndryshimet e propozuara qysh para dy viteve nga deputeti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, parashihet që i gjithë territori i Maqedonisë së Veriut të përfshihet vetëm në një njësi zgjedhore pa prag zgjedhor, duke u mundësuar si partive më të vogla politike ashtu edhe partive të komuniteteve më të vogla etnike, të ushtrojnë të drejtën e tyre të përfaqësimit në Kuvendin e vendit.
Ndryshimin e vetëm që deri më tani kanë pranuar partitë politike ka të bëjë aplikimin në zgjedhje të identifikimit biometrik apo përdorimin e gishtërinjve gjatë votimit. Ligji për këtë risi në procesin e votimit është miratuar në Kuvend. Partitë politike shqiptare janë pro modelit për zgjedhjen e përfaqësuesve në institucionin ligjvënës përmes listave të hapura, por janë të ndarë për sa i përket njësive zgjedhore. BDI preferon të mbetet sistemi aktual me 6 njësi zgjedhore, Aleanca për Shqiptarët, konsideron se përfaqësimi i shqiptarëve do të ishte më i denjë përmes 8 njësive zgjedhore.
Aktualisht, në Maqedoninë e Veriut ka 120 deputetë zgjidhen sipas modelit të pastër proporcional në 6 njësi zgjedhore, i cili zbatohet nga viti 2002 deri në zgjedhjet e fundit të mbajtura në vitin 2020. Të gjitha tentimet për ndryshimin e këtij modeli kanë dështuar. Por, si përfundim modeli më i mirë dhe më i përshtatshëm për vendin është ai me gjashtë njësi zgjedhore, ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të jenë në drejtim të hapjes së listave, që kjo ndikon dukshëm në rritjen e cilësisë së përfaqësuesve në Kuvend.
Modeli me një njësi zgjedhor mes tjerash është i dëmshëm posaçërisht për shqiptarët, sepse ndikon dukshëm në defaktorizimin e shqiptarëve në vend, duke ulur numrin e përfaqësuesve shqiptarë në Kuvend. Përmes modelit me një njësi zgjedhore pragu për fitim të mandatit të deputetit do të jetë shumë më i lartë, për dallim prej modelit me më shumë njësi zgjedhore kur për mundësinë e fitimit të mandatit të deputetit merret në llogaritje numri i votuesve vetëm në zonën e caktuar, dhe jo numri i votuesve në nivel republikan ashtu siç parashihet me modelin e ri me një njësi zgjedhore.
Votuesit shqiptarë janë të përqendruar kryesisht në tri nga gjashtë njësi zgjedhore, në njësinë 2, 6 dhe 5. Që përfshijnë rajonet e populluara më shumë me shqiptarë si Tetova, Gostivari, Struga, Kumanova, Likova, një pjesë e Shkupit etj. Prandaj, me këtë model aktual me gjashtë njësi zgjedhore shqiptarët përfaqësohen në mënyrë të barabartë në Kuvend, në të kundërtën me një njësi zgjedhore gjasat maksimale janë që të reduktohet numri i deputetëve shqiptarë në Kuvend. Prandaj, është e natyrës që gjitha partitë shqiptare të bashkohen dhe të jenë kundër ndryshimit të modelit dhe kalimin në atë me një njësi zgjedhore. Ndryshimet duhet të ndodhin në hapjen e listave, respektimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, si dhe rritjen e transparencës në zgjedhje që është vlerë demokratike.