Friday, November 22, 2024
spot_img
BallinaLajmeEkskluzive/ A do të ketë takim liderësh? Flasin përfaqësuesit e partive politike...

Ekskluzive/ A do të ketë takim liderësh? Flasin përfaqësuesit e partive politike për Zhurnal!

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka deklaruar se është i gatshëm të fton takim liderësh vetëm nëse krerët e partive politike janë të gatshëm për një takim në të cilin do të diskutohet për datën e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare. VMRO-DPMNE insiston për një takim të tillë sepse sipas kësaj partie vendi ndodhet para dy proceseve kyçe dhe nëse nuk bisedohet për të, është e mundur kriza kushtetuese, përderisa nga LSDM konsiderojnë se nuk ka bazë për mbajtje të një takimi të tillë në të cilën do të dakordohej për diçka jashtë procedurave ligjore. Nga Lëvizja Besa për Zhurnal thanë që nuk mund të kenë qëndrim si parti përderisa nuk kanë marrë ftesë për një takim të kësaj natyre, sipas tyre nuk ekziston iniciativë për këtë takim. Nga Alternativa thonë që nëse ka ftesë zyrtare do të përgjigjen pozitivisht dhe se janë jashtëzakonisht të interesuar që zgjedhjet të mbahen sa më shpejtë. Ata mes tjerash shprehin edhe shqetësimin e tyre për kreun e Kuvendit, Talat Xhaferi, në lidhje me refuzimin e Kodit Zgjedhor. Nga Lëvizja Demokratike për Zhurnal thonë që janë të gatshëm të marrin pjesë në çdo takim liderësh që garanton zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Nga BDI dhe Aleanca për Shqiptarët nuk kemi marrë përgjigje, pasi si pjesë e shumicës parlamentare këto parti mbase nuk mund të marrin vendime në mënyrë të pavarur, shkruan Zhurnal.

Çfarë thonë nga partitë politike për takimin e liderëve?

Nga Lëvizja Besa sekretari gjeneral, Abdush Demiri, për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal, tha që si parti nuk kanë qëndrim të qartë sepse nuk ekziston një iniciativë e tillë, sipas tij kjo që flitet është e bazuar në deklarata publike por që nuk është serioze të dihet disponimi i krerëve të partisë nëse nuk ftohen.

“Ne si parti, Lëvizja Besa, nuk kemi qëndrim për këtë çështje pasi nuk ka iniciativë konkrete për këtë takim. Deri në këto momente as që jemi ftuar e as që jemi kontaktuar nga organizatorët për ndonjë takim të tillë”, deklaroi Demiri për Zhurnal.

Mes tjerash ai shtoi se kemi të bëjmë me diçka që deklaraohet në emisione dhe konferenca për shtyp, gjë për të cilën ata nuk e konsiderojnë si çështje për çka duhet të kenë qëndrim.

“Ajo që flitet në emisione e në konferenca për shtyp nuk do të thotë se ekziston si iniciativë reale e konkrete, prandaj ne vlerësojmë se duhet të kontaktohemi nga organizatorët që pastaj të kemi qëndrim mbi ftesën që bëhet”, përfundoi Demiri.

Nga Alternativa zëdhënësi, Orhan Murtezani, për Zhurnal tha që kanë interes të jashtëzakonshëm që zgjedhjet të mbahen sa më shpejtë, dhe që një ftese zyrtare për takim liderësh në Kuvend do t’i përgjigjen pozitivisht dhe do të merr pjesë në këtë takim kreu i kësaj partie, Afrim Gashi, pa hamendje.

“Nëse do të ketë ftesë zyrtare, gjithsesi se do të përgjigjemi pozitivisht. Ne kemi interes të jashtëzakonshëm që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt, por edhe të jenë të drejta e demokratike. Megjithatë, për neve është shqetësuese që kryetari i Kuvendit refuzon të zbatojë Kodin Zgjedhor për përbërjen e KSHZ-së. Ne presim reflektim nga ai”, deklaroi Murtezani për Zhurnal.

Nga Lëvizja Demokratike për Zhurnal thanë që janë të gatshëm të kontribuojnë në secilin takim që diskutohet për zgjedhjet e ardhshme, por sipas tyre është e rëndësishme të garantohen zgjedhje të lira, fer dhe demokratike.

“Opozita shqiptare e bashkuar në koalicion me popullin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare do të mposht njëmendësinë e skenës politike shqiptare. Prandaj, në çdo takim zyrtar në të cilin do të jemi të ftuar që shkon në drejtim të sigurimit të zgjedhjeve të lira, fer dhe deomkratike, jemi të gatshëm të japim kontributin tonë”, deklaruan nga Lëvizja Demokratike për Zhurnal.

Sipas kryeministrit të vendit, Dimitar Kovaçevski, zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të mbahen në terminin e ligjshëm, përkatësisht në pajtim me afatet ligjore, vendi më 12 maj të vitit të ardhshëm duhet të ketë president të ri, ndërsa më 15 korrik përbërje të re parlamentare.

Nga ana tjetër, sipas liderit të opozitës, Hristijan Mickovski, i cili inicion takim të tillë, është e domosdoshme që të ketë takim, sepse shteti ndodhet para dy proceseve të rëndësishme zgjedhore vitin e ardhshëm. Ai dje në deklaratë për media tha se një takim të tillë mund të thërras edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

“Vlerësoj se disa muaj para zgjedhjeve është mirë të ulemi në takim liderësh ku do të ketë përfaqësues të Qeverisë, përfaqësues të opozitës. Le të jetë organizues Talat Xhaferi, le të jetë në Parlament. Dhe, atje do të bisedojmë për datat e mundshme për zgjedhje, sepse ndërkohë të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se kemi dy festa të mëdha fetare siç janë Ramazani dhe pashkët, kështu që duhet ta përgatisim ambientin për të pasur proces të drejtë zgjedhor”, tha Mickovski.

Takimet e liderëve në Maqedoninë e Veriut ndodhin rrallë, edhe kur ndodhin shprehet një ndarje etnike ku liderët maqedonas takohen vetëm duke shpërfaqur nacionalizmin që ata janë kryesorët që mund dhe duhet të vendosin për proceset në vend, dhe liderët shqiptarë mezi bëhen njëherë në 10 vite të ulen bashkë dhe përfundojnë takimin me akuza pa asnjë vendim konkret e rezultat. Takimet e liderëve që janë pjesë e Kuvendit duhet të jenë traditë dhe jo vetëm para zgjedhjeve, por kjo praktikë vlen në vendet funksionale.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

më të shikuara

Komenti i fundit