Eurodeputetja holandeze, Tineke Strik, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq me vite në heshtje është lejuar ta minojë stabilitetin në rajon.
Strik tha se është shokuar me ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur në një sulm terrorist të kryer nga një grup i serbëve të armatosur u vra polici Afrim Bunjaku.
Ajo tha se ndonëse ishte e shokuar, nuk ishte e befasuar.
“Të gjithë ishim të shokuar më 24 shtator kur një bandë serbe e armatosur rëndë me lidhje të forta në dukje me qeverinë serbe, u fut në Kosovë dhe vrau brutalisht një oficer policie. Të tronditur, por jo të befasuar. Pasi këtu të çon strategjia e kënaqjes të cilën e aplikon Bashkimi Europian. Me vite ne në heshtje kemi lejuar Vuçiqin ta minojë stabilitetin në rajon, të mbetet përkrahës i Kremlinit, t’i shkatërrojë të drejtat e minoriteteve në vendin e vet”- deklaroi ajo.
Ajo tha se Parlamenti Europian e trajton atë si mik.
Strik ka bërë thirrje që liderët e BE-së të veprojnë ndaj Serbisë lidhur me ngjarjet e fundit në veri.
“Është dashur ta mësojmë mësimin me Putinin. Pas ngjarjeve të fundit, është koha që liderët e BE-së të zgjohen. Situata e sigurisë në Ballkan është mjaft e rrezikshme. Duhet të veprojmë tash që të mbrojmë qytetarët e Ballkanit Perëndimor”- ka thënë Strik në debatin e eurodeputetëve.
Parlamenti Europian ka diskutuar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagos një tjetër.
Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.
Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.
Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.
Ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq, ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.
Parlamenti Europian pritet ta miratojë një rezolutë të jashtëzakonshme për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë më vonë këtë muaj.