Ismet Vejseli, tenori i cili vjen nga Kumanova, është shpërblyer me çmimin “Silver Award” në Vjenë të Austrisë për performim maestral, përcjell albinfo.ch.
Në këtë kategori performojnë artistë të njohur nga e gjithë bota, ku Vejseli triumfoi mbi të gjithë.
Në vitin 2021 Ismeti fitoi çmimin e parë në konkursin internacional për këndim në Rusi dhe po në këtë vit, në konkursin për këndim operistik ,,Lazar Jovanoviç” në Beograd të Serbisë ai fiton çmimin e parë.
Ka kënduar në disa nga skenat më të mëdha në botë dhe ka performuar në një koncert me orkestrën tradicionale të Moskës.
Është ftuar të jetë pjesë e shumë masterklaseve si në Berlin, ku ka punuar me vokal pedagogen e Operës së Berlinit, Snezhana Nena Brzakoviç, shkruan koha.
Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Muzikës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, në drejtimin e solokëndimit në klasën e sopranos me famë botërore doc. Ana Durlovska. Në tetor të vitit 2021 ai pranohet në Akademinë e tenorit Raul Gimenez ,,Barcelona Concertante”, i cili renditet në 10 tenorët më të mirë në histori.