Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi ka akuzuar ish-partinë e tij Lëvizjen Vetëvendosje se me deklarimet për organizimin e “Lojërave Mesdhetare 2030” po dëshiron ta largojë vëmendjen nga skandali me Milan Radojçiqin.
“Kur partia në pozitë del fol për lojërat mesdhetare që kanë me u mbajt në 20230 tregon që po do me hup vëmendjen prej Radojçiqit. Ka edhe Radojçiq edhe koordinim me ata shokët e juaj që erdhën këtu, vijnë i marrin paratë, ju vazhdoni me ua pagu rrymën si këta tjerët që kanë qenë në pushtet” – tha deputeti Abazi.
Abazi gjatë deklarimit mbante në dorë fotografi të deputetes Mimoza Kusari Lila dhe një tjetër të kryeministrit Albin Kurti ku shkruhej “Zdravo Banda”.
“Ju jeni të njëjtit që ia vazhdoni mandatin e EULEX, që vazhdojnë m’i bastisë shtëpitë e veteranëve, makinat e të cilëve, i ka rrotullu dikur Lëvizja Vetëvendosje”- shtoi ai.
Abazi ka përmendur edhe një serë kritikash tjera ndaj Qeverisë Kurti.
“Pranimi i marrëveshjeve që përfshijnë “zajednicën”, refuzimi i kërkesës së amerikanëve për shtyrje të targave, asnjë rezultat të vetëm pozitiv përveç tension, vrasja e gruas shtatzënë në oborr të QKUK-së janë dështim i drejtësisë, vazhdim total i degradimit të ngritjes të mafisë ndërtimore” – shtoi ai.
Ai tha se është për turp paraqitja e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.