Një grup i ri i 38 amerikanëve do të arrijnë të hënën në Maqedoninë e Veriut ku do të shërbejnë si vullnetarë të Korpusit të Paqes. Ata do ta ndajnë përvojën dhe njohuritë e tyre duke shërbyer si vullnetarë nëpër shkolla dhe organizata në vendin tonë.
Gjatë qëndrimit të tyre në Maqedoninë e Veriut, vullnetarët do të punojnë si arsimtarë dhe profesorë të gjuhës angleze, në fushën e zhvillimit të bashkësive në partneritet me shkollat fillore dhe të mesme, me institucionet qeveritare, me komunat dhe organizatat joqeveritare.
Korpusi i Paqes është organizatë qeveritare e SHBA-së dhe i realizon programet e tij në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.
Ky është grupi i 26-të me rradhë i vullnetarëve që do të jetojnë dhe punojnë në shumë fshatra dhe qytete në vendin tonë. Në tre muajt e parë, vullnetarët do të kalojnë nëpër një trajnim përgatitor ku do të përfshihet mësimi i kulturës dhe gjuhës maqedonase dhe shqipe, kurse me punë do të fillojnë në fillim të dhjetorit. Që nga viti 1996 në Maqedoninë e Veriut si vullnetarë kanë shërbyer mbi 800 shtetas amerikanë.