Pas vizitës së kryeministrit Kosovar Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut dhe takimeve që pati vetëm me përfaqësues të opozitës shqiptare, mediumet dhe analistët shpejtuan të komentojnë se blloku shqiptar në Maqedoninë e Veriut është ndarë në dy pole-opozita me Albin Kurtin, kurse BDI me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Mirëpo siç mëson Zhurnal, as raportet mes BDI-së dhe kryeministrit Rama nuk janë duke lulëzuar kohën e fundit. Në kohën kur bëri kthesë nga “Open Ballkani” në drejtim të “Berlinit”, Rama ka pritur se edhe BDI e Ali Ahmetit do ta përcjellë në hap. Jo vetëm kaq, por parashikimi i kryeministrit shqiptar ka qenë se BDI me pozitat e saj të forta në Qeveri do të ndikojë që edhe Maqedonia e Veriut të tërhiqet nga “Open Ballkani”, duke e lënë Serbinë të vetme dhe duke e mbyllur këtë projekt deri aty ku kishte arritur, për të mos bërë asnjë milimetër më tutje.
Mirëpo kanë kaluar dy muaj nga kjo “kthesë” e Ramës, kurse BDI vazhdon të mbetet në kursin e “Open Ballkanit”, kurs që me gjasë ia kishte prishur raportet me Kosovën dhe kryeministrin e saj, Albin Kurti.
Rama më 6 korrik vizitoi Shkupin në kuadër të turneut të tij për “mbyllje” të “Open Ballkanit” dhe promovim të “Procesit të Berlinit” dhe kjo ishte hera e parë që gjatë një qëndrimi në Maqedoninë e Veriut të mos takohet edhe me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti.
Ky detaj nuk u analizua shumë atë kohë, por pak më vonë edhe pse Rama e kishte shpallur të mbyllur, më 16 korrik zyrtarë të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në kuadër të “Open Ballkanit” promovuan projektin e ri me të cilin pagesat rrugore në dy vendet do të mund të paguhen përmes një sistemi të përbashkët që quhet TAG. Kjo do të thotë që udhëtarët dhe shoferët e makinave nuk do të duhet të ndalojnë në pikat e pagesës për të paguar, por do të tarifohen përmes pajisjes në të dy vendet.
Në promovimin e këtij aktiviteti morën pjesë kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski dhe kolegia e tij serbe, Ana Brnabiq, të cilët theksuan se ky është konfirmimi më i mirë se “Open Ballkan” është një iniciativë që prodhon rezultate, që funksionon dhe që njerëzit e duan. Ata u lavdëruan se për vetëm tre muaj, inxhinierët serbë dhe maqedonas arritën të krijojnë zgjidhjen për një grumbullim të vetëm elektronik të tarifave.
Vetë kryeministri me ministrin e transportit Boçvarski udhëtuan me makinë nga Shkupi për të dëshmuar se ky sistem funksion pa probleme.
Në solemnitetin e organizuar në Serbi, u përfaqësua edhe BDI, përmes drejtorit të Agjencisë së Rrugëve, Ejup Rrustemi.
Prezenca e tij shkaktoi reagime shumë të ashpra në opinionin shqiptar. Arben Fetai nga ASH pat kritikuar ashpër Rrustemin. Ai pat shkruar se vetë Edi Rama thotë se Open Ballkani ka marrë fund, ndërsa Ejup Rustemi e përqafon Open Ballkanin.
“Edi tha Open Balkan ka marrë fund.
Ky pinguini i DUI-t po thotë rroftë Open Balkan me Serbinë. A me Tiranë a me Beograd o bukurosha?” pat pyetur me ironi Arben Fetai, duke shigjetuar “selinë blu”. Realiteti i ri i këtyre raporteve ëshë vërejtur edhe në Bled të Sllovenisë, ku Kurti dhe Rama janë përshëndetur mes vete, por një gjë e tillë ka munguar mes kryeministrit kosovar dhe ministrit të jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili vjen nga radhët e BDI-së. Foto e përbashkët, për aq sa e kemi përcjellur këtë samit, ka munguar edhe mes ministers së jashtme kosovare Donika Gërvalla me homologun e saj nga Maqedonia e Veriut. /Zhurnal