Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit sot ka lëshuar Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj dy personave, njëri prej të cilëve dyshohet për veprën penale “Marrje e ryshfetit”, ndërsa tjetri për ndihmë në kryerjen e asaj vepre penale.
I dyshuari i parë, si zyrtar – drejtor i Spitalit të specializuar për mjekësi geriatrike dhe paliative në Shkup, në periudhën prej datës 19.03.2025 deri më 08.04.2025, në disa raste në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar përfitime të konsiderueshme financiare për vete për kryerjen e veprës zyrtare që do të duhej ta kryente.
“Ai kërkoi ryshfet nga një dëshmitar në procedurë – ofrues i mbështetjes së përjetshme për një person që vuante nga disa sëmundje dhe i cili, sipas rekomandimeve mjekësore, i nevojitej kujdes spitalor në institucionin e lartpërmendur. Kur dëshmitarja kontaktoi institucionin për shkak se gjendja e pacientit po përkeqësohej, ajo u informua se pacienti ishte vendosur në listën e pritjes për pranim. Disa ditë më vonë ajo ka marrë telefonatë nga i dyshuari i dytë, i cili ka caktuar takim me drejtorin e institucionit më 19 mars 2025, në mbrëmje në një restorant në Shkup”.
“Në takim, i dyshuari i parë personalisht tha se e dinte që pacienti ishte në gjendje të mirë financiare, për çka kishte informacion edhe për pasurinë e paluajtshme që posedonte dhe premtoi ndihmë me akomodim nëse do të shpërblehej me 100 mijë euro. Dëshmitarja reagoi se bëhej fjalë për një shumë të madhe parash, për të cilën drejtori sugjeroi që shuma e kërkuar të sigurohej me shitjen e pasurisë së paluajtshme – banesë në pronësi të pacientit, gjë që nuk ishte opsion sepse banesa mbulohej me marrëveshje për mirëmbajtje të përjetshme”.
Më datë 03.04.2025 është mbajtur takimi në mes të dëshmitares dhe ndihmësit, tek i cili drejtori kishte besim të plotë dhe më 04.04.2025 dëshmitarja është takuar sërish me dy të dyshuarit. Më në fund, u ra dakord që dëshmitarja t’i jepte 20 mijë euro si garanci për akomodimin e pacientit në spital, dhe nëse i dyshuari kryesor “nëpërmjet kontrolleve” konstatonte se pacienti kishte pasuri të paluajtshme shtesë, ajo pronë do të shitej për të siguruar shumën totale të kërkuar prej 100 mijë eurosh”.
“Në përputhje me këtë marrëveshje, më 08.04.2025, dëshmitarja është takuar me të dyshuarin e dytë, e cila ka hyrë në automjetin e saj dhe në emër të drejtorit ka pranuar në mënyrë të drejtpërdrejtë shumë prej 20.000 euro, pas së cilës është kapur në vend nga zyrtarët policorë”, thuhet në njoftimin nga Prokuroria.
Gjithashtu shtojnë se prokurori publik ka dorëzuar propozim te gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup për caktimin e masës së paraburgimit për dy të dyshuarit.