Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i BE-së, Josep Borrell, konsideron se nuk ka pengesa për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, raportojnë mediat bullgare.
Ai për BNR ka thënë se Maqedonia e Veriut po bën përparim të mirë dhe nga ana evropiane nuk ka asgjë që do ta bllokonte anëtarësimin e saj në BE, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Gjatë këtij aderimi do të respektohen rreptësisht parimet dhe standardet evropiane. Për këtë është i nevojshëm bashkëpunimi i mirë, dhe bashkëpunimi rajonal mbetet një element thelbësor, si dhe stabilizimi, në mënyrë që të mund të zbatohet procesi i anëtarësimit. Por çështjet dypalëshe nuk duhet të jenë detyruese dhe nuk do të përcaktojnë procesin e anëtarësimit”, tha Borrel për BNR.
Kjo ishte përgjigjja e tij në pyetjen se cilat do të jenë hapat e ardhshëm të BE-së nëse Maqedonia e Veriut nuk i përfshin bullgarët në Kushtetutë deri në nëntor. Ky është kushti që Sofja vendosi për të rënë dakord me Kornizën Negociative për RMV-në.